
TIRANË- Nuk ka pushime vere për deputetët që kanë marrë mandatin e parë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Për tre ditë, të premten, nisin nga leksionet. Më 20 qershor do të çelë siparin Akademia Politike, atje ku deputetët e rinj do të marrin leksionet e para lidhur me mënyrën sesi duhet të sillen dhe të flasin gjatë 4 viteve të ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.
Detajet janë zbuluar në faqen zyrtare të "Instagram" që është hapur për të ashtuquajturën 'shkolla e deputetëve'. Siç njoftohet në faqe, programi është strukturuar përmes 5 moduleve të përqendruara, secili me një tematikë thelbësore për të kuptuar dhe ushtruar me integritet rolin e deputetit.
"Nga roli i deputetit dhe etika e përfaqësimit, te diplomacia parlamentare dhe komunikimi strategjik, ky edicion nuk synon vetëm të informojë, por të formësojë një kulturë të re politike, të rrënjosur në përgjegjësi, koherencë dhe vizion afatgjatë. Ky sesion do të trajtojë etikën e përfaqësimit, ndërtimin e besimit me elektoratin, praninë në terren dhe transparencën në raportim, por edhe mënyrën se si ndërtohet një komunikim i përgjegjshëm dhe përfaqësues në hapësirën publike. Pjesë e këtij moduli do të jetë edhe diskutimi mbi rolin e kryetarit të grupit parlamentar, sfidat e bashkëpunimit të brendshëm dhe përfaqësimit politik të Shqipërisë në nivel ndërkombëtar,"-shkruhet ndër të tjera në faqen zyrtare të AP-së.
Po ashtu, "premtojnë" se të ftuar si pjesë e këtij edicioni të posaçëm të Akademisë Politike, do të jenë disa nga zërat më me përvojë të Partisë Socialiste. Madje edhe vetë kryeministri Edi Rama.
"Lëndët" e Akademisë Politike
Moduli 1 – Roli i Deputetit dhe Etika e Përfaqësimit
Lektorë: Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Niko Peleshi
Ky modul përqendrohet në misionin themelor të përfaqësuesit të popullit dhe standardet etike të angazhimit politik.
Moduli 2 – Funksionimi i Parlamentit
Lektorë: Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Toni Gogu
Njohuri mbi procedurat parlamentare, strukturat ligjvënëse dhe funksionimin e institucioneve ligjore.
Moduli 3 – Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Ndërkombëtare
Lektorë: Elisa Spiropali, Adea Pirdeni, Olta Xhaçka
Fokus mbi diplomacinë parlamentare dhe ndërveprimin me aktorë ndërkombëtarë.
Moduli 4 – Komunikimi Politik
Lektorë: Taulant Balla, Endri Fuga, Eduard Shalsi
Trajnim mbi komunikimin strategjik, rolin e medias dhe përballjen me opinionin publik.
Moduli 5 – PS dhe Vizioni 2030
Lektorë: Milva Ekonomi, Bledi Çuçi, Evis Kushi
Diskutim mbi programin politik afatgjatë të Partisë Socialiste dhe prioritetet për dekadën e ardhshme.
Por "studentët" nuk do të marrin vetëm trajnime me leksione. Gjithashtu do të kenë mundësinë e tyre që të diskutojnë dhe të shkëmbejnë mendime me anëtarët më me eksperiencë të Partisë Socialiste. Kështu do të kenë mundësinë që të "kaliten" edhe për debatet që i presin me opozitën në sallën e Kuvendit. Megjithatë fokusi nuk do të jetë vetëm në karrigën e deputetit. Tek 'studentët' e rinj do të nxitet edhe ndikimi që ata do të kenë tek raportet ndërinstitucionale me ministritë dhe pushtetin vendor.
"Deputetët e rinj do të ftohen të kuptojnë rolin e tyre jo vetëm si ligjvënës të së tashmes, por si kontribues aktiv në realizimin e objektivave të Shqipërisë 2030, një projekt politik dhe institucional që kërkon bashkërendim, pjekuri dhe vetëdije të thellë për përgjegjësinë publike,"-shkruhet ndër të tjera në faqen zyrtare.
Nga 83 deputetët që Partia Socialiste fitoi në këto zgjedhje, 54 prej tyre kanë fituar mandat për herë të parë. Ndër ta, 39 deputetë nuk kanë mbajtur më parë pozita të nivelit të lartë ekzekutiv si Ministër, Zëvendësministër apo Kryetar Bashkie.
Mesa duket, tashmë gjithçka është gati! Ngelet për t'u parë se si do të procedohet me 'shkollën verore'.../ZËRI