
TIRANË-Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka komentuar videot e publikuara nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes të cilave pretendon farsën elektorale të 11 Majit.
Konretisht në pamjet e publikuara më 14 qershor Berisha denoncon një komisioner në një qendër votimi, i cili hap kutinë dhe kontrollon se për kë parti ka votuar qytetari. Në një tjetër video kreu i PD pretendon se ka raste ku një person plotëson katër fletë votimi pa kartë identiteti. Po ashtu në një video tjetër, kryedemokratik deklaron se në QV 2283, fshati Përparim, njësia administrative Përparim, Bashkia Peqin, shihet personi i shëndoshë që është edhe komisioner, ku merr fletët e votimit nga një grua tjetër votuese dhe voton në vend të saj.
Sa i përket pamjeve, Celibashi shprehet në emisionin e mëngjesit 'Kafe Shqeto' në Syri tv, se vendosin në pikëpyetje administrimin e procesit zgjedhor, por jo mbi të gjithë rezultatin e këtij procesi. Celibashi pohon se pamjet janë nga kamerat që KQZ ka vendosur në një qendër votimi dhe shprehet se nuk arrin ta kuptojë si kanë mundur të veprojnë kur kanë qenë nën monitorim.
Ilirjan Celibashi: Nëse ato pamje janë të tilla në 5 mijë, apo 1 mijë, apo në 200 apo 300 qendra votimi është vërtetë problematike. Këtë nuk e dimë. Por do të duhet ta pranojmë që ajo pamje vendos pikëpyetje të mëdha mbi administrimin e procesit zgjedhor. Është kaq shumë subjektive kjo gjë sa.... Nëse ndryshon një mandat e vë në dyshim procesin. Por prapë....Nëse flasim për numrat do të duhet të llogarisim që ky numër sa ndikon në të gjithë numrat e tjerë. Nuk është edhe kaq e thjeshtë. Por për këdo mund ta rrëzojë gjithë procesin....nuk është farë pozitive, nuk mund të ndodhe fare kjo gjë. Nëse flasim për një mandat në këtë numër mandatesh, nuk e rrëzon të gjithë procesin në kuptimin e rezultatit. Natyrisht që vendos disa pikëpyetje mbi procesin por jo mbi të gjithë rezultatin e këtij procesi. Është vërtet shumë relative dhe subjektive për të vendosur në balancë një shkelje të cilën ti e ke evidentuar në raport me të gjithë procesin. Të themi për rastin konkret që është kaq evident dhe skandaloz nga çdo pikëpamje ligjore, morale apo ku di unë. Është vërtet sfidë e madhe që i bëhet procesit ajo pamje. Jo, por unë nuk arrij të kuptoj një gjë vërtet këtë. Sepse këtë diskutonim edhe me një pjesë të stafit të KQZ. Sepse këto janë kamerat që KQZ ka vendosur në një qendër votimi dhe ne ua kemi shpërndarë subjekteve zgjedhore sipas kërkesave. Nuk arrij ta kuptoj nëse ai zotëria, apo ata zotërinjtë e dinë që janë nën monitorim me kamera dhe nuk arrij ta kuptoj vërtet ketë gjë.