TIRANË-1 shtatori 2026, fillimi i vjeshtës e ka gjetur Bashkinë e Tiranës me lëvizje e ndryshime, por asgjë e re: 18 muaj më pas, gjithçka kthehet aty ku nisi me Erion Veliajn në krye të punës!
Bashkia e Tiranës nuk ka një të deleguar në krye. Me shkarkimin e Anuela Ristanit, Erion Veliaj ka vendosur të drejtojë Tiranën nga burgu i Durrësit. 18 muaj larg zyrës, Veliaj ka marrë sërish timonin dhe jo vetëm sa i përket punëve të bashkisë me firmosjen e listëpagesave apo fondeve, por edhe stafit të saj, ku ata që u larguan gjatë qeverisjes së Anuela Ristanit, po rikthehen sërish. Por çfarë ndodhi me Bashkinë e Tiranës nga shkurti 2025 në shtator të 2026: qeverisja Veliaj-Ristani?
ZËRI ju kthen pas në kohë nga emërimi i Anuela Ristanit, ‘përplasjet’ me Erion Veliajn deri në largimin e saj.
Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe vetëm një ditë më pas, Kryeministri Edi Rama komandoi Anuela Ristanin në krye të bashkisë, përkohësisht. Në fjalën e parë si kryetare, Ristani e cilësoi arrestimin e Veliajt si ‘një ëndërr e keqe’! Duke theksuar se ishte pjesë e Bashkisë nga viti 2015, Ristani deklaronte një ditë nga arrestimi i Veliajt: Në më shumë se 1 dekadë punë të përditshme, ajo që na ka bashkuar dhe që kemi lënë kockat nuk përputhet me imazhin e xhiruar në 24 orët e fundit. Çfarëdo që bëjmë dhe kush jemi ne, është puna që mbetet pas.
Dhe ashtu ndodhi, puna si kryetare pa trazira vijoi për Ristanin vetëm një muaj. Në mars 2025, Erion Veliaj nga qelia shkarkon Anuela Ristanin për ta zëvendësuar atë me Sara Goxhajn, nënkryetare tjetër e Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, Veliaj bëri një reflektim brenda ditës, duke deklaruar se shkarkimi ishte një ‘keqkuptim’. Kryebashkiaku deklaroi se kishte firmosur një ridelegim me "idenë e gabuar" se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues dhe për këtë bëri fajtor mungesën e informacionit që ka për atë që ndodh në botën e jashtme, jashtë qelisë.
‘Keqkuptimi’ i Veliajt solli lëvizje të stafit në Bashki! Vetëm një ditë pas rikthimit si kryetare, më 21 mars, Anuela Ristani shkarkon nënkryetaren Sara Goxhajn, emrin që do ta zëvendësonte, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi. Ky i fundit është një nga personat më të afërt të Veliajt, ndërsa ishte personi i parë që vizitoi kryebashkiakun në qelitë e paraburgimit tek Blloku i Sigurisë tek Mine Peza, pas arrestimit të tij më 10 Shkurt. Ristani deklaroi pas shkarkimeve se “puna vazhdon për një Tiranë që do t'i bëjë të gjithë Krenar”.
Dy muaj më vonë, në maj të 2025, Ristani largon nga detyra asistenten personale të kryebashkiakut Erion Veliajt, Raohela Trocin, dhe drejtorin e Protokollit dhe drejtoreshën e Shërbimeve Mbështetëse.
Jo vetëm stafin, por edhe mobiljet! Në qershor, Ristani heq mobiljet e Erion Veliajt nga zyrat dhe bën tender për mobilimin e selisë së Bashkisë Tiranë. Poltron rrotullues, raft librash, tavolinë ovale si e Shtëpisë së Bardhë, kasafortë sekrete, komplete kolltuqesh, kredencë, garderobë, pasqyra për tualet dhe një listë e gjatë mobiliesh do t’ia ndryshonin pamjen zyrave. Por Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) e anuloi tenderin, duke e quajtur “të ekzagjeruar dhe të paargumentuar”.
Teksa Veliaj përballej në Gjykata për rikthimin e tij si kryebashkiak, punët vijuan për Bashkinë e Tiranës me në krye Ristanin, por në fillim të vjeshtës 2026, ‘rrethi’ mbyllet. Më 28 gusht, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, shkarkon nga detyra kryetaren e komanduar të Bashkisë së kryeqytetit, Anuela Ristanin. Në vendim argumentohej se Ristani kishte refuzuar zbatimin e urdhrave të kryebashkiakut dhe gjatë detyrës së saj është kthyer në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të Veliajt, pasi sipas tij ka munguar koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë.
Pas shkarkimit, Ristani vendos të largohet nga Bashkia e Tiranës si nënkryetare. Me largimin e saj erdhi edhe dorëheqja e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, Eldi Hoxha. Në postin e tij, emri që u komandua i shkon për shtat fjalës ‘karma’. Veliaj rikthen në Bashki Alban Dokushin, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Po ashtu, dha dorëheqjen edhe shefja e Kabinetit, Blerina Beshku.
Largime të reja, rikthim të vjetërve… Vjeshta e ka gjetur Bashkinë e Tiranës me ndryshime. Mbetet për t’u parë nëse Veliaj do t’ia besojë dikujt tjetër Bashkinë apo do të ushtrojë detyrën nga qelia./ZËRI






