Veliaj reagon nga burgu për ndryshimet në Bashkinë e Tiranës: Keqkuptim! Firmosa me idenë e gabuar

TIRANË- “Keqkuptim,”- kështu është shprehur kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj për shkarkimin e Anuela Ristanit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj është tërhequr nga vendimi i tij për të shkarkuar Ristanin dhe për ta zëvendësuar atë me Sara Goxhajn, nënkryetares tjetër të bashkisë së Tiranës. Veliaj tha se ridelegimi i kompetencave ishte i gabuar për shkak se kishte menduar që ekipi drejtues ishte dakordësuar më parë.
Ndërsa për raportimet në disa media se ka pasur një përplasje me kryeministrin Edi Rama, Veliaj i hedh poshtë këto aludime, teksa shprehet se ka "mall" të takohet. Për gabimin e ndodhur, Veliaj fajëson mungesën e informacionit që ka për atë që ndodh në botën e jashtme, jashtë qelisë.
Si përfundim, Ristani do të vazhdojë që të qëndrojë si kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës. Deri më tani, nuk ka ende një reagim nga ana e kryeministrit.
"U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje. E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm. E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi", shkuan Veliaj në postimin e tij në Facebook.
Ditën e sotme u njoftua se Ristani u shkarkua nga posti i saj si kryebashkiakja e komanduar e Tiranës dhe u zëvendësua nga Goxhaj. Dokumenti ishte firmosur nga kryebashkiaku i arrestuar, Erion Veliaj. Por, siç sqaron, ky ishte një keqkuptim për shkak të mungeës së komunikimit me ekipin e drejtimit.
Anuela Ristani u komandua në këtë post një ditë pas arrestimit të Erion Veliajt, i cili u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste./ZËRI
Bashkia e Tiranës prej 24 orësh në kolaps, Veliaj nuk pranon rikthimin e Anuela Ristanit

TIRANË- Gjithçka nisi pasi Veliaj nxori një urdhër të dytë më parë për t’ia kaluar Sara Goxhajt kompetencat e tij, ndërkohë që deri tani këto kompetenca i ushtronte Anuela Ristani. Kryeministri Rama nuk ishte dakord me urdhrin e firmosur nga Veliaj dhe shkoi të mërkurën në mbrëmje në Bashki për t’i komunikuar Goxhajt largimin nga detyra si dhe rikthimin në këtë pozicion të Ristanit.
Por ligjërisht vendimi i Veliajt ishte protokolluar dhe rikthimi i kompetencave te Ristani duhej bërë sërish me firmën e tij.
Burimet bëjnë të ditur se kryebashkiakut Veliaj i ka shkuar sërish në burg letra për të firmosur që Anuela Ristani të marrë kompetencat e kryetarit të Bashkisë, por nuk ka pranuar të firmosë. Mësohet se ai nuk ka pranuar të hedhë firmën as për emrin e Jonida Halilit që ishte propozuar të emërohej sekretare e Përgjithshme në vend të Alban Dokushit.
Në këto kushte, Bashkia e Tiranës prej ditës së djeshme nuk ka mundur të prodhojë dot asnjë dokument, pasi asnjë prej zyrtarëve të lartë nuk e ka tagrin për të firmosur në emër të Veliajt./Top Channel
Lëvizje në Bashkinë e Tiranës/ Veliaj firmos nga qelia emërimin e kryetares së re

TIRANË- Tashmë Bashkia e Tiranës ka një drejtuese të re! Kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj ka firmosur nga qelia e paraburgimit të Durrësit shkarkimin e nënkryetares Anuela Ristani nga posti i kryetares së komanduar. Të gjitha përgjegjësitë e tij ia ka deleguar Sara Goxhajt. Kështu, nga dita e djeshme, një nga 5 nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës ka postin e kryetares së komanduar. Rrjedhimisht, vendimi për Ristanin i firmosur më 14 Shkurt shfuqizohet.
“Znj, Sara Goxhaj, Nën/kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryejë përkohësisht edhe detyrat e kryetarit të bashkisë Tiranë. Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë. Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit për qytetarët për zbatimin e këtij urdhri,”- thuhet në dokumentin e firmosur nga Veliaj.
Anduena Ristani u komandua në këtë post një ditë pas arrestimit të Erion Veliajt, i cili u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.
Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI