TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar të ushtrojë funksionin e tij nga parabugimi, duke firmosur sot disa vendime të rëndësishme që lidhen me funksionimin e institucionit që drejton. Nga qelia në IEVP Durrës, ku ndodhet prej 19 muajsh, Veliaj ka miratuar disa vendime, mes tyre dorëheqjet e ditëve të fundit dhe një sërë vendimesh të tjera të rëndësishme.
Vendimet e firmosura sot nga Veliaj:
-Veliaj ka firmosur dorëheqjet e zëvendëskryetares Anuela Ristani, sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe shefes së Kabinetit, Blerina Beshku.
-Veliaj ka firmosur listëpagesat e administratës së Bashkisë së Tiranës.
-Një tjetër vendim i miratuar nga kryebashkiaku Veliaj është edhe shtesa e fondeve për çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit, duke garantuar vijimin e financimit dhe funksionimit të tyre.
-Transporti publik, një tjetër çështje e rëndësishme, për të cilën Veliaj ka miratuar fondet për vijimin e skemës së aboneve falas për pensionistët e kryeqytetit.
Gjatë ditëve të fundit, në Bashkinë e Tiranës është shënuar një “furtunë” dorëheqjesh, madje edhe këtë të martë pak para vendimeve të miratuara nga Veliaj.
Sot, më 1 shtator, dha dorëheqjen sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Eldi Hoxha. Në vend të tij, kryebashkiaku Veliaj ka komanduar Alban Dokushin si sekretar të Përgjithshëm, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e tij në detyrë. Dokushi më 21 Mars 2025 u shkarkua nga kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani.
Ndërkohë, më 28 gusht, Erion Veliaj, përmes një vendimi të firmosur nga qelia, shkarkoi nga detyra kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanin. Në vendim argumentohej se Ristani kishte refuzuar zbatimin e urdhrave të kryebashkiakut dhe gjatë detyrës së saj është kthyer në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të Veliajt, pasi sipas tij ka munguar koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë. Pas këtij vendimi, më 31 gusht, Ristani me anë të një postimi në rrjete njoftoi largimin e saj nga Bashkia e Tiranës si nënkryetare.
Nga 28 gushti në Bashkinë e Tiranës nuk ka një drejtues të deleguar që të qëndrojë në krye të punëve, teksa kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025./ZËRI


