TIRANË-Komisioni i Reformës Territoriale ka thirrur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, për dëgjesën e qarkut që do të bëhet më datë 30. Bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, tha se pasi dërgohet ftesa zyrtare, masat duhet t’i marrë Bashkia për të siguruar praninë e kryetarit.
“Ne kemi caktuar një standard. Nuk kemi dëgjuar nënkryetarët, edhe kur kanë qenë të deleguar me porosi. Ftesën ia çojmë institucionit dhe institucioni duhet të marrë masat përkatëse që të përfaqësohet nga personi që ka tagrin për të qenë kryetar i zgjedhur i bashkisë. Kemi çuar kërkesën në mënyrë specifike. Dëgjesa e qarkut Tiranë do të bëhet më datë 30. Jemi duke diskutuar akoma bashkë me bashkëkryetarin për vendin dhe orën, por ora do të jetë besoj tipike, 5 ose 6. Po diskutojmë për një vend të përshtatshëm që të jetë mjaftueshëm i madh për një dëgjesë të këtij niveli dhe i përshtatshëm për të gjithë palët”, shpjegoi Mazniku.
Mbetet ende për t’u parë nëse institucionet do të garantojnë praninë e kryebashkiakut Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim. Komisioni deri me datën 15 korrik duhet ti dorëzojë Kuvendit njç raport.
Reforma territoriale mbetet një çështje kyçe për organizimin administrativ të vendit dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kompromiset mes partive në tavolinë, do të vendosin formën përfundimtare të ndarjes së bashkive.