
ITALI- Qeveria italiane ka propozuar një dekret të ri për vënien në funksion të qendrave të emigrantëve në Shqipëri. Qeveria thuhet se po shqyrton një masë të re për të lejuar ndalimin e emigrantëve. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që pritet për 25 shkurtin e ardhshëm. Mediat fqinje raportojnë se plani diskutohet të vijë edhe me koston e një zgjidhjeje ekstreme siç do të ishte heqja e juridiksionit të Romës mbi strukturat në fjalë, në bazë të traktatit të nënshkruar me Tiranën.
Pas tre refuzimeve radhazi nga gjyqtarët e Emigracionit dhe Gjykata e Apelit, për të lënë në Shqipëri emigrantët e refuzuar, po mendohet përjashtimi i kompetencës së magjistratëve italianë për menaxhimin e refugjatëve që do të riatdhesohen.
Plani i Qeverisë
Tani qeveria po shqyrton me sa duket një lëvizje të re për të anashkaluar juridiksionin e magjistratëve italianë mbi menaxhimin e riatdhesimeve dhe për të shmangur ndalesat e reja. Me një dekret që synon shndërrimin e vendeve në qendra paraburgimi riatdhesimi. Në këtë mënyrë do të mund të silleshin në Shqipëri edhe emigrantë që ndodhen aktualisht në pikat e nxehta dhe qendrat e pritjes në territorin kombëtar, të parregullt ose subjekt i një dekreti dëbimi. Dhe në këtë pikë ato mund të menaxhoheshin nga Tirana dhe jo më nga Roma.
Për cdo rast, teksa ende pritet vendimi i gjyqtarëve në Luksemburg, ekzekutivi italian po shfaq gatishmërinë e tij për të ecur përpara. Dhe për këtë është planifikuar edhe një mbledhje tjeter, në kërkim të një zgjidhjeje të besueshme ligjore pas vendimeve bllokuese të gjyqtarëve për ndalimet në Shqipëri.
Gjykata e Apelit të Romës vendosi për të tretën herë që emigrantët e paligjshëm që u çuan në kampin e Gjadrit më 28 janar të ktheheshin në Itali. Më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija luftanike “Libara” solli në Shqipëri dy kontigjente me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët, pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI