
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot drejtuesit politikë të qarqeve, ku edhe njëherë në fokusin e bisedimeve që kanë zgjatur rreth 1 orë ishte vota e diasporës. Takimi u mbajt në selinë e Partisë Socialiste. Njëjtë si herën e shkuar, edhe në këtë mbledhje, numri një i qeverisë u ka tërhequr vëmendjen drejtuesve politikë të qarqeve që të punojnë më shumë për regjistrimin e emigrantëve. Afati i fundit për t'u regjistruar është deri më 4 mars.
Pasi ka përfunduar takimin, kryesocialisti u largua drejt Shkodrës së bashku me Taulant Ballën, drejtuesin politik për diasporën. Por edhe pse mediat ishin grumbulluar jashtë selisë së Partisë Socialiste, Rama nuk ka pranuar të prononcohet; madje nuk dha asnjë koment as për rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.
Deri më tani që nga nisja e procesit të regjistrimit, në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve janë shënuar 181,288 kërkesa për të votuar. Në total, 114,058 shqiptarëve u është miratuar kërkesa për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por, maxhoranca dhe opozita kanë përplasje për të lejuar apo jo të votojnë emigrantët që nuk kanë dokumenta identifikimi shqiptare./ZËRI