
MAQEDONIA E VERIUT- Në Shkup po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku marrin pjesë liderët e rajonit, përfshirë kryeministrat e Shqipërisë Edi Rama, Kosovës Albin Kurti, Malit të Zi, Milojko Spajiç, Kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana Krsto dhe ministri serb për Integrimin Evropian Nemanja Staroviç.
Liderët diskutuan në ditën e dytë të samitit, Planin e Rritjes për rajonin, me një axhendë mbi bashkëpunimin ekonomik, reformat dhe integrimin drejt tregut të përbashkët rajonal.
"Plani i Rritjes është shumë i qartë: ne duhet të japim rezultate, ata nga ana tjetër po ashtu. Ne po bëjmë pjesën tonë, ata të tyren. Kemi një mjet shtesë, që ka të bëjë me atë që është quajtur integrim gradual dhe po zbatohet. Për Shqipërinë, veçanërisht, po ecën shumë, shumë mirë,"-u shpreh Rama në hyrje të takimit.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos theksoi se shtetet e Bashkimit Evropian kanë konsensus për zgjerim tani. Kos, teksa theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së, vlerësoi edhe përparimin e Shqipërisë në negociata. Komisionerja u shpreh se në vjeshtë pritet që të hapet edhe grupkapitulli i fundit me Shqipërinë.
“Për herë të parë në historinë e Europës, nëse e zhvillojmë bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit, mund të arrijmë një bashkimin e Europes tonë – dhe një Europë nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem shumë e qartë: sot ekziston një konsensus i qartë në favor të zgjerimit. Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu në të kaluarën, por dritarja e kësaj mundësie nuk do të qëndrojë aty përgjithmonë. Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria, i nderuar Kryeministër Edi Rama, ka hapur tre grupkapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Dhe, siç ju thashë edhe dje, mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë”- u shpreh ajo.
Duke u ndalur tek Kosova, eurokomisionerja Kos tha se po presin formimin e qeverisë së re “për t’u fokusuar me energji të plotë në procesin e anëtarësimit”.
Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se Ballkani Perëndimor po ecën drejt një të ardhmes evropiane dhe se sipas tij nuk është më një “dhomë pritjeje” por një rajon në zhvillim. Ai shtoi se është një rajon me potencial, por vuri në dukje tentativat për përçarje.
“Ballkani Perëndimor është një rajon i pasur me potencial dhe ambicie, megjithëse shumë shpesh ka narrativa përçarjeje. Por kur shikoj përreth, mund të shoh se ka një histori tjetër. Rajoni përcaktohet nga fryma e tij dhe refuzon të lihet pas dore. Ky Samit i kushtohet një vizioni të përbashkët, një vizioni ku investimet lulëzojnë dhe inovacioni ofron mundësi për të gjithë. Një vizion ku Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon që është në zhvillim. Ne të gjithë kemi një të ardhme të përbashkët dhe për të siguruar unitet dhe stabilitet, duhet të punojmë së bashku si fqinjë, si partnerë, si rajon. Së bashku mund të ndërtojmë një rajon të fortë dhe të lidhur që është i begatë, gjithëpërfshirës dhe evropian”, tha Mickoski.