TIRANË-Zbulohet shuma që SPAK dyshon për episod të ri korrupsioni ndaj kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi. Bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare që rezulton se është përdorur për blerje dhe shpenzime të ndryshme. Karta bankare i është vënë në dispozicion Kryemadhit dhe Metës nga biznesmeni Adrian Shatku.
Në raportimin e SPAK thuhet se vlera e shpenzuar nga Kryemadhi është mbi 240 mijë dollarë. Prokuroria e Posaçme ka administruar disa letër porosi nga disa shtete të huaja mbi pagesat që janë kryer me këtë kartë të dytë online bankare. Kryesisht pagesat e kryera nga deputetja janë për blerje në dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills, pagesa të qëndrimit në hotel në Londër, Neë York dhe Las Vegas si dhe bileta avjoni për udhëtimet.
"Shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi me kartën American Expres Centurion me numër XXXX XXXXXS-31017, për periudhën Dhjetor 2014- Nentor 2017 kapin vlerën 234,677.83 USD. Sipas përshkrimit të llojit të shërbimit, pagesat e kryera nga Monika Kryemadhi jane kryesisht për blerje ne dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills; pagesa të qëndrimit në hotel në Lbndër, Neë York dhe Las Vegas si dhe bileta avjoni për udhëtimet", thuhet në raportimin dymujor të SPAK për çështjen e Ilir Metës.
Por pas zbulimit të ri nga SPAK, ardhur një reagim edhe nga presidenti i Partisë së Lirisë. Nga qelia e paraburgimit, Ilir Meta thekson edhe njëherë se nuk ka asnjë lidhje me kartat bankare që pretendohet se ka përdorur tashmë ish-bashkëshortja e tij. Sipas tij, nuk ka pasur asnjëherë asnjë dëshirë për të udhëtuar në vende "luksi", pasi gjithmonë ka zgjedhur Shqipërinë.
"Kartat bankare për të cilat flet dhe mashtron hapur SPAK-u nuk kanë as edhe lidhjen më të vogël me Ilir Metën. Nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk egziston asnjë kartë bankare e ish-çiftit Meta-Kryemadhi. SPAK-u me regji ngatërron ëndrrat me faktet dhe realitetin asgjësues, pasi as nuk ka egzistuar dhe as ka për t'u zbuluar kurrë ndonjë kartë e Ilir Metës. SPAK-u tashmë i zhveshur përpara opinionit publik nga mungesa totale e fakteve dhe provave është zhytur në mashtrime, fantazira dhe manipulime mediatike, që në fakt vetëm sa po e diskreditojnë për turp dhe po e provojnë boterisht se i gjithë procesi ndaj Ilir Metës është vetëm një aferë mafioze e pastër dhe e telekomanduar nga Narkoqeveria. Unë as nuk kam qenë dhe as nuk kam dëshiruar të shkoj në Beverly Hills dhe Las Vegas, sepse e kam bërë njëherë e përgjithmonë zgjedhjen time që të shkoj me kënaqësi pafund në Prevallë, Çerem e Dobërdol, në majën e Korabit dhe të Jezercës e kudo në mrekullitë natyrore të Shqipërisë tonë kaq të bukur e mahnitëse,"-shkruan Meta.
Në seancën e 26 qershorit, që zgjati rreth 4 orë, Meta me një dokument 11 faqe, u shfajësua nga të gjitha akuzat e reja që ngriti SPAK, duke ia lënë përgjegjësinë ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në dëshminë e dhënë para Gjykatës në seancën gjyqësore ka zbuluar se pikërisht kjo kartë ka qenë edhe arsyeja e ndarjes nga ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Meta në dëshminë e tij shprehet se lajmin e kartës që Kryemadhi kishte marrë nga Adrian Shatku, e ka zbuluar pas kontrolleve të SPAK në banesën e ish-vjehrrës së tij. Në momentin që e ka zbuluar ka kërkuar edhe divorcin ligjor, duke e konsideruar, një shkelje të rëndë të besimit.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI

