VLORË-Deputeti i Partisë Socialiste në Vlorë, Ardit Bido ka reagur sërish lidhur me dhunimin e banorëve nga roje privatë të kompanisë 'Major Security' gjatë protestës kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit në Vlorë, i cili po ndërtohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.
Deputeti socialist teksa ka përshëndetur arrestimin e rojës privat Gerald Biba dhe nisjen e hetimeve ndaj zinxhirit komandues të Policisë në Vlorë, ka kërkuar heqjen e licencës kompanisë së sigurisë ‘Major Security’. Bido ka ritheksuar se forca e shtetit nuk mund të privatizohet.
Edhe në një reagim të ndarë një ditë më parë (30 maj), deputeti dënoi ngjarjen duke theksuar se konfliktet e pronave qofshin apo private nuk duhet të zgjidhen me forcë.
Lidhur me ngjarjen e rëndë, Policia ka arrestuar Geraldo Bibën, rojen private të Major Security, ndërsa për dy punonjësit e tjerë të kompanisë së sigurisë ka nisur një hetim. Po ashtu Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka nisur një hetim disiplinor për zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës. Kreu i policisë së shtetit Skënder Hitaj ka pezulluar nga detyra drejtorin e policisë së Vlorës, Elidon Çela, pas një raportimi të gabuar ku u tha se banori hyri me forcë në perimetrin e rrethuar të kantierit. Ndërkohë kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po ndërton resortin në zonën e mbrojtur në Vlorë ka shkëputur kontratën me shoqërinë e sigurisë 'Major Security'./ZËRI
