TIRANË- Procesi i votimit në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka përfunduar pas fjalimeve të mbajtura nga deputetët dhe drejtuesit e lartë. Tashmë, delegatët kanë shprehur vullnetin e tyre përmes votës, ndërsa kutitë e votimit janë vulosur dhe po transportohen drejt selisë qendrore të PD-së.
Në përfundim të procesit, kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se procesi i numërit do të nisë rreth orës 20:00, në ambienetet e selisë blu.
"Tani të presim rezultatet e votimeve, të cilat mos gaboj do nisin nga ora 20:00. Siguroj se, natyrisht kur janë dy kandidatura për një vend njëri fiton dhe tjetri nuk fiton, por garantoj se në mendimin tim ato kanë qenë kandidaturat më serioze. Marrin apo jo votat, secili prej tyre mbetet aset i çmuar i PD. Dhe tjetra, kushdo ka dyshim për votën do ketë të drejtën të numërojë votat e veta. Ky është maksimumi i transparencës që mund të bëjmë”, tha Berisha.
Berisha nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarëve për Salianjin, për të cilin e përsëriti sërish duke thënë se është i vetëpërjashtuar. Sa i përket takimit të djeshëm në Tiranë të ish-deputetit, Berisha u shpreh se asnjë demokrat nuk ishte pjesëmarrës në tubimin e djeshëm të Ervin Salianjit. Lideri demokrat e bëri të qartë se cilido që ndjek Salianjin, i mbyll hesapet me PD-së.
“Cilido që ndjek Salianjin i mbyll hesapet me PD-në. Hysen Kadiu ishte aty. Cilido që ndjek atë do vazhdojë lidhjet me të, nuk kanë më asnjë punë me PD. Nuk është kritikë ajo, kritikë ka sa të duash në gjirin e PD, kurse ata kanë veprime konkrete ndaj PD-së. Ai është i vetëpërjashtuar”, tha Berisha.