TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përfunduar votimin e tij për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së. Pasi hodhi vullnetin e tij në fletën e votimit, Berisha është ndalur për mediat, duke u shprehur se po zhvillohet një proces i jashtëzakonshëm.
Ndërsa i pyetur për vonesën e tij, Berisha sqaroi se kjo ndodhi për shkak të listat janë ndarë sipas kategorive, konkretisht në tre të tilla.
“Jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi. Janë ndër listat më dinjitozë.
Natyrisht numri i madh i kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen. U vonova, sepse i kanë ndarë veçmas për burrat, veçmas për zonjat dhe veçmas për të rinjtë. Uroj që gratë të arrijnë në 40%, të rinjtë të jenë sa më të pranishëm.
Ripërtëritje do të thotë modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim shumë më i fuqishëm. Do të ketë ripërtëritje nga seksioni, deri në majë. Unë do të propozoj emra të rinj, më pas i përcakton vota”, u shpreh Berisha./ZËRI