TIRANË- Avokati i njohur, Jordan Daci, emri i të cilit renditet në listën e kandidatëve për Këshillin e ri Kombëtar të Partisë Demokratike, është shprehur se nuk ka qenë në dijeni në lidhje me këtë propozim. Përmes një reagim publik, Daci thekson se emri i tij në listë është vendosur pa dijeninë e tij dhe kërkon që të hiqet, në mënyrë që të mos i nënshtrohet votimit të sotëm.
Ai sqaron se nuk ka paraqitur kurrë asnjë kërkesë apo pëlqim për të kandiduar, ndërsa thekson se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e një procesi politik.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me një informacion të bërë publik së fundmi, sipas të cilit emri im rezulton i propozuar si kandidat për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin të sqaroj me korrektësi dhe qetësi se nuk jam anëtar i Partisë Demokratike, nuk kam paraqitur asnjë kërkesë, pëlqim apo shprehje vullneti për të kandiduar në strukturat e saj, dhe nuk kam pasur dijeni paraprake për një propozim të tillë.
Duke ruajtur respektin për çdo qytetar apo strukturë që mund të ketë vlerësuar emrin tim, si dhe duke falënderuar cilindo propozues që mund të ketë vepruar me mirëbesim, më duhet të shprehem qartë se nuk pajtohem me përfshirjen e emrit tim në këtë proces dhe kërkoj që ai të mos konsiderohet si shprehje e vullnetit tim personal, profesional apo publik.
Aktualisht, zgjedhja ime institucionale dhe profesionale është e lidhur me kandidimin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, i qëndroj me përgjegjësi të plotë parimeve kushtetuese të pavarësisë, paanësisë, integritetit dhe mospërfshirjes në veprimtari politike, të cilat janë thelbësore për çdo kandidat që synon t’i shërbejë vendit në një funksion të tillë të lartë kushtetues.
Ky sqarim nuk synon të krijojë debat publik, polemikë apo keqkuptim politik, por vetëm të shmangë çdo interpretim të pasaktë mbi pozicionin tim. Unë nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e këtij procesi politik, dhe emri im nuk duhet të përdoret apo të interpretohet si shenjë përkatësie, mbështetjeje apo angazhimi partiak.
Do të vijoj me seriozitet, përulësi dhe përgjegjësi rrugën institucionale të kandidimit për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen se, nëse organet përkatëse të emërtesës do të më besojnë këtë detyrë, do t’i shërbej Republikës së Shqipërisë vetëm mbi bazën e Kushtetutës, ligjit, pavarësisë dhe interesit publik.
Por, nga ana tjetër, në radhët e PD-së kanë reaguar duke sqaruar në thelb se, në fakt bëhet fjalë për një person tjetër. Pra, emri Jordan Daci, në listën e demokratëve, nuk i referohet avokatit të njohur.
Fillimisht reagoi Ivi Kaso, i cili sot mbajti postin e kryetarit të komisionit drejtues të Kuvendit. kaso sqaroi se bëhet fjalë për një tjetër person me të njëjtin emër dhe jo për avokatin e njohur.
“Dua të sqaroj diçka në lidhje me kandidimin e avokatit Jordan Daci në listën e Këshillit kombëtar. Nuk bëhet fjalë për avokatin, por për një tjetër person, anëtar dhe kontribuues në PD, që ka të njëjtin emër dhe të njëjtin mbiemër”, u shpreh Ivi Kaso gjatë punimeve të Kuvendit.
Një tjetër reagim zyrtar erdhi edhe nga Drejtuesi i Zyrës së Komunikimit në PD, Alfred Lela. Sipas Lelës, personi i propozuar është një aktivist dhe anëtar i Partisë Demokratike me të njëjtin emër, me banim në qytetin e Sarandës.
Reagimi i plotë i Alfred Lelës:
“Jordan, je shqetësuar pa u sqaruar!
Ka një Jordan Daci në Sarandë. Aktivist, anëtar i Partisë Demokratike. Nuk mund t’i ndallohej kandidimi vetëm se ka emrin tënd.
Me këtë parim Enver Hoxha nuk duhej bërë ministër i Kosovës se kish emrin e diktatorit!
Suksese në kandidimin për organet e drejtësisë!”/ZËRI