
TIRANË-Kryeministri Edi Rama është ndalur edhe tek vendimi për mbylljen e Tik Tok, në konferencën e fundvitit. Rama u shpreh se nuk do të tërhiqet nga vendimi që ka marrë dhe se do të duhet një periudhë 6 deri në 8 javë për mbylljen e platformës.
Edi Rama: Kemi një situatë që ju e njihni, lidhur me TikTok-un. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë, dhe siç e kam paralajmëruar, është një vendim për implementimin e të cilit do të na duhet 6-8 deri javë sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë.
Kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, njoftoi mbylljen e platformës si pjesë e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla. Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës 'Fan Noli', gjatë një konflikti me një tjetër nxënës Mario Përlleshi, ndodhur më 18 nëntor 2024.
Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre. Pa prova konkrete që vërtetojnë se TikTok është shkaku kryesor i problemeve të identifikuara, ndalimi mund të konsiderohet i pabazuar dhe arbitrar./ZËRI