Politikë

Rama përplaset me gazetaren e CNN: S'jeni burim objektiv! Protestat? Sulme kibernetike, Irani i vetmi armik!

Rama argumentoi se debati rreth projektit është shkëputur nga faktet dhe se, sipas tij, fushatat në rrjetet sociale po përshpejtojnë përhapjen e akuzave të paverifikuara.

zh.ll
Rama përplaset me gazetaren e CNN: S'jeni burim objektiv! Protestat?
gazetarja Eleni Giokos-edi rama

TIRANË- Protestat në Shqipëri kanë vijuar të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish duke i lidhur ato me një fushatë dezinformimi dhe ndërhyrje kibernetike. Deklaratat u bënë gjatë Forumit Botëror Future Investment Initiative (FII), në Romë.

Në panelin e moderuar nga gazetarja e CNN, Eleni Giokos, u diskutua situata aktuale në vend dhe perceptimi publik për zhvillimet e fundit, teksa debati mes tyre u tensionua. Gjatë debatit, Rama reagoi ashpër ndaj pyetjeve të gazetares, duke ngritur dyshime mbi mënyrën e raportimit

Rama argumentoi se debati rreth projektit është shkëputur nga faktet dhe se, sipas tij, fushatat në rrjetet sociale po përshpejtojnë përhapjen e akuzave të paverifikuara. Ai u shpreh gjithashtu se aktorë të huaj kibernetikë kanë tentuar të ndikojnë debatin publik rreth çështjes, duke theksuar se Shqipëria, sipas tij, është përballur prej vitesh me sulme kibernetike të lidhura me Iran.

Pjesë nga debati:

Rama: Dëgjo, mos shko aty, sepse tani më kujton që je nga CNN dhe më vjen keq ta them, por e kam mësuar në mënyrën e vështirë se ju nuk jeni një burim objektiv. Por fakti që je greke më bën të ndihem i detyruar të mos shkoj aty. Po, toka është blerë nga investitorët. Po, është tokë private. Po, është duke u zhvilluar një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, ende nuk është miratuar asnjë projekt. Po, ende nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Po, nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë ndonjë ambientalist që mendon drejt.

Dhe po, Shqipëria do të ecë përpara, dhe Shqipëria nuk mund ta shpëtojë Europën vetëm në një gjë: nëse rrjetet sociale vazhdojnë të funksionojnë pa kufizim, Europa do të shembet nga brenda. Dhe atëherë edhe mburojat kundër raketave dhe predhave nuk do të vlejnë, sepse nuk do të ketë më asgjë për të mbrojtur.”

Gazetarja e CNN: Zoti Kryeministër, shumë shkurt, Komisioni i BE-së thotë se duhet të respektoni rregullat mjedisore dhe po jep paralajmërime. Keni edhe çështjen e protestave. Si do ta ndryshoni mesazhin që ai të rezonojë me protestuesit dhe të siguroheni që Komisioni Europian të jetë në anën tuaj?

Rama: Kam një lajm për ju. Shumica e popullit shqiptar e do projektin. Qyteti ku do të zhvillohet projekti është, në një shumicë shumë të madhe, në pritje të tij dhe nuk ka protesta. Komuniteti ku projekti do të zhvillohet e dëshiron projektin. Pra, ajo që shihni ju nuk është saktësisht ajo që po ndodh. Zemërimi ekziston, e kuptoj, por kur të zbehet dhe kur t’i dërgoj një ftesë shumë të veçantë CNN-it për të ardhur në inaugurim, të gjithë do të jenë të lumtur. Dhe jam i sigurt se do të jetë një mundësi e shkëlqyer për CNN-in që të rehabilitohet.”

Gazetarja: Të rehabilitohet?

Rama: Të rehabilitohet. Ju keni nevojë për rehabilitim. Keni nevojë për rehabilitim ndaj Shqipërisë, ndaj popullit shqiptar dhe madje edhe ndaj zogjve. E dini, ju duhet një moment rehabilitimi, sepse zogjtë, ujërat, pemët dhe gjithçka tjetër do të jenë shumë më mirë se sa janë sot. Projekti synon të krijojë 25% më shumë sipërfaqe të gjelbër sesa ekziston aktualisht. Sot, ujërat e lagunës janë të ndotura dhe ne do të kemi një sistem krejtësisht të ri për t’i pastruar ato përsëri. Siç thoni ju në Shtetet e Bashkuara: t’i bëjmë ujërat sërish të pastra, jo ‘ta bëjmë Amerikën sërish të madhe’.

Gazetarja: Në rregull!

Rama: Është provokuar kryesisht sepse Kushner dhe Trump, hija pas tyre, mjaftojnë për të bërë që shumë njerëz nga vende dhe kontinente të ndryshme të reagojnë menjëherë. Por sasia e dezinformatave, e videove të rreme, e videove të marra nga protesta në vende të tjera dhe të paraqitura si protesta në Shqipëri, sasia e bot-eve që kanë hyrë aty nga armiku ynë… Ne kemi një armik, i vetmi armik është Republika Islamike e Iranit, dhe ata kanë tre vjet që zhvillojnë një sulm kibernetik të pamëshirshëm kundër Shqipërisë dhe janë përfshirë edhe në këtë çështje.

Kjo sasi çmendurie po gërryen demokracitë tona nga brenda dhe po e çon hapësirën europiane në drejtime që, më shpejt sesa vonë, do të shkatërrojnë plotësisht ndjesinë e politikës, vendimmarrjes dhe kompromisit në këtë pjesë të botës. Prandaj është koha që demokracitë të mos besojnë më se ‘liria e shtrirjes së informacionit’ është një zgjatim i lirisë së shprehjes. Liria e shtrirjes së informacionit është ajo që çdo regjim, përmes propagandës, ka përdorur për të futur gënjeshtrën në çdo mendje.

Edhe më herët, Rama deklaroi se Irani mund të jetë i përfshirë në një “luftë hibride” ndaj Shqipërisë. Sipas Ramës, iranianët po ushqejnë narrativën se bëhet fjalë për marrëveshje të fshehta mes kryeministrit, Benjamin Netanyahut dhe Kushnerit për të vendosur palestinezët në Zvërnec.

Çfarë deklaroi Rama?

"S’ka asgjë për të diskutuar sepse s’ka asnjë projekt të miratuar. Së pari duhet të kemi një projekt, ta diskutojmë dhe miratojmë. Por s’mund të diskutojmë një projekt. Faktet kanë gjithnjë rëndësi. S’ka arsye për t’u shqetësuar sa kohë që s’ka projekt. Arkitektët duan të bëjnë diçka unike dhe një dhuratë të mrekullueshme për Shqipërinë. Atje nuk është çështje mjedisore, është lufte hibride. Pas protestës janë iranianët, që kanë qenë edhe herë të tjetra të përfshirë në sulme. Projekti në Zvërnec nuk është ai që është folur. Keni parë video false nga Tirana… S’ka asgjë për të diskutuar, sepse s’ka asnjë projekt të miratuar.", tha Rama gjatë mbërritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor."

Deklaratat e kryeministrit Rama kanë pasuar një sërë reagimesh e replikash mes kreu të qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Iranit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB