TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar largimin e deputetes Marjana Koçeku nga PS, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë njoftim nga ana e saj. Në një prononcim për mediat para Kuvendit, Balla u shpreh se ka tentuar ta kontaktojë deputeten, por ajo nuk i është përgjigjur, pasi kishte fikur telefonin.
Megjthatë, Balla refuzoi të analizonte vendimin e Koçekut, ndërsa shtoi se PS është e pashqetësuar nga largimi i deputetes dhe nuk e konsideron një gabim të Edi Ramës.
“Unë jam bariu i grupit të PS, tani ju më pyesni, unë s’kam as njoftim nga ajo. Kur pashë statusin, e mora në telefon, e kishte fikur, s’kam komunikuar. Megjithatë secili ka vendimmarrjen e vet. Është nder i madh të jesh anëtar i Kuvendit. Por le ta provojnë njëherë këta pa trëndafilin e grushtin si dalin. Kisha një mik, kaubojsin, kështu thoshte, kur doli vetë e pamë si doli.
Me vërtet mendoni që do bëj analizë për një deputete që as ka qenë anëtare e PS, u bë deputete. Ç’mendoni? Edi Rama ka shumë merita, i ka mbajtur dyert hapur për kontribute. Kemi koalicion me qytetarët”, u shpreh Balla.
Sa i përket pretendimeve të Koçekut se është kërcënuar nga Bajrat e Shkodrës, Balla i cilësoi si çështje që duhet të hetohen nga organet kompetente.
“Kërcënimet janë vepër penale, ashtu si moskallëzimi i krimit. Më kujtojnë kohën kur në 2021 Bardhi akuzonte Berishën e Nokën se ishin takuar me anëtarë grupesh kriminale në Elbasan. Pra s’është rasti i parë në politikë. Por absolutisht është e papranueshme. Duhet një hetim paraprak, i bëj thirrje Prokurorisë së Shkodrës të nisë hetim”, u shpreh më tej Balla.
Ky është reagimi i dytë nga radhët e Partisë Socialiste pas deklaratës së bërë një ditë më parë në Komisionin e Jashtëm nga kryetari Igli Hasani. Hasani u shpreh se çdo person që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit, duke theksuar se reagimet në rrjetet sociale, përfshirë Instagramin, nuk janë zgjidhja e duhur për këto raste.
Më 14 qershor Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se do të jetë deputete e pavarur. Ajo arsyetoi se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë, duke lënë të kuptohet një përplasje me liderin e PS, Edi Rama. Marjana Koçeku ishte një ndër emrat risi që PS solli në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ajo u zgjodh automatikisht deputete, pasi udhëhiqte listën e mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës. Pas largimit, ajo ka njoftuar mbështetjen për protestën e Flamingove, një lëvizje qytetare që kërkon largimin e klasës aktuale politike.
Pas largimit nga radhët e PS, ajo deklaroi përmes rrjeteve socialiste se ishte kërcënuar, siç ajo pretendon nga anëtarë të familjes Bajri. Megjithatë, avokati i këtyre të fundit, i deklaroi deklaratat e saj si të pavërteta dhe e ftoi deputetin të shfaqë prova nëse i disponon./ZËRI