Politikë

Flamingot morën fitoren e parë? Rama për raportin e PE: Amendamenti s’ka lidhje me Zvërnecin, u informuan nga sorrat e korbat

Rama thekson gjithashtu se çështja e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është pjesë e procesit të negociatave me Bashkimin Europian dhe do të trajtohet në bashkëpunim me Komisionin Europian, me qëllim identifikimin e çdo elementi që nuk përputhet me standardet e BE-së.

zh.ll
Flamingot morën fitoren e parë? Rama për raportin e PE:
foto ilustrim: edi rama-flamingot

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për çështjen e Zvërnecit dhe rezolutën e Parlamentit Europian. Përmes një postimi në platformën "X", Rama ka ironizuar opozitën dhe interpretimet e tyre mbi vendimet e Parlamentit Europian, duke i cilësuar si të keqinformuara.

Kreu i qeverisë, thekson sërish sipas tij se, amendamenti i miratuar nuk ka lidhje me Zvërnecin apo zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, por me zonën Nartë–Vjosë, ndërsa “amendamenti i fitores” është rrëzuar.

Rama thekson gjithashtu se çështja e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është pjesë e procesit të negociatave me Bashkimin Europian dhe do të trajtohet në bashkëpunim me Komisionin Europian, me qëllim identifikimin e çdo elementi që nuk përputhet me standardet e BE-së.

Kryeministri e mbyll reagimin e tij duke ironizuar debatin publik dhe interpretimet politike mbi këtë çështje, duke përmendur edhe “VIP-a”, influencues dhe figura publike.

Postimi i plotë i Ramës:

Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!

Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshë.

Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale.

Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së.

Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, që pas përshirjesh me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar.

Çfarë miratoi dhe çfarë rrëzoi Parlamenti Europian në raportin 2025 për Shqipërinë?

Ditën e djeshme, 17 qershor, Parlamenti Europian miratoi rezolutën zyrtare për Raportin e Progresit të vitit 2025 për Shqipërinë, ku para seancës u votuan disa amendamente. Në fokur të këtyre amendamenteve, ishte pikërisht çështja e zonave të mbrojtura, që ditën e fundit ka shkaktuar debat dhe ka nxitur protesta në të gjithë vendin.

Çfarë kërkon PE nga Shqipëria?

Parlamenti Europian ka kërkuar vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm në zonat e mbrojtura në Shqipëri, duke kërkuar ndalimin e përkohshëm të çdo leje ndërtimi dhe të çdo ndërhyrjeje zhvillimore. Sipas tekstit të miratuar në rezolutën për raportin e progresit të Shqipërisë, eurodeputetët shprehin shqetësim për rrezikun që zhvillimet infrastrukturore mund të shkaktojnë në zonat me ndjeshmëri të lartë mjedisore.

Ky qëndrim vjen veçanërisht në lidhje me zonat e mbrojtura si Vjosa–Nartë, të cilat, sipas Parlamentit Europian, duhet të mbrohen deri në garantimin e plotë të standardeve mjedisore të Bashkimit Europian. Këtë qëndrim, nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një hap pozitiv për Shqipërinë. Në reagim e tij menjëherë pas publikimit të raportit, Rama theksoi se çështje mjedisore (Vjosë-Nartë) nuk lidhet me amendamentet e rrëzuara (Kushner, Sazan) nga shumica e eurodeputetëve gjatë votimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB