TIRANË- Pas situataës së përshkallëzuar në kryeqyetet, me studentët që kanë nisur protestën që prej mesditës së sotme, kanë reaguar deputetë e ministra dhe Presidenti Bajram Begaj.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka reaguar për përshkallëzimin e protestave duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Ai tregoi gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, duke ofruar institucionin që drejton si një hapësirë për dialog dhe komunikim.
“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje. E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit. Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim. Mbetem i gatshëm të dëgjoj të gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, shkruan Begaj në reagimin e tij në rrjetin social Facebook.
Deputeti i Partisë Socialiste Pirro Vëngu ka ngritur akuza ndaj një pjese të stafit pedagogjik duke pretenduar se studentët po përballen me presion për t’iu bashkuar protestave. Sipas tij, disa pedagogë i kanë kërcënuar me ulje notash studentët që zgjedhin të mos marrin pjesë në tubime.
"Unë besoj se Shqipëria është e bekuar me të rinjtë që ka. Studentët e duan Shqipërinë, e duan atdheun. Nuk e djegin! Studentët nuk kanë nevojë për suplement politik që t’i orientojë, as për kujdestarë që të flasin në emër të tyre. Ata kanë zërin, arsyet dhe të drejtën e tyre për të protestuar. Po aq sa kanë të drejtën të zgjedhin të mos protestojnë. Shqetësimet dhe aspiratat e tyre meritojnë të dëgjohen. Por dhuna dhe vandalizmi nuk i shërbejnë asnjë kauze. Zemërimi dhe pakënaqësia nuk i përligjin. Ata që ushtrojnë dhunë verbërisht e pastaj fshihen pas studentëve, po e përdorin kauzën e tyre. Pedagogët që kërcënojnë me ulje notash ata që nuk protestojnë, apo deputetët që kërkojnë të rishpikin veten në kurriz të dilemave dhe aspiratave legjitime të rinisë, vetëm sa e thellojnë hendekun e besimit me një brez që paragjykohet shumë dhe dëgjohet pak. Të rinjtë meritojnë të dëgjohen dhe të vendosin vetë. Edhe kur protestojnë. Edhe kur zgjedhin të mos protestojnë", shkruan Vëngu.
Ministrja e e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka reaguar pas akteve vandale të regjistruara pasditen e kësaj të mërkure në ambientet e Ministrisë së Financave duke dënuar dhunën dhe djegien e institucionit.
"T’i vësh flakën një institucioni nuk është protestë paqësore. Është një akt që rrezikon jetë njerëzish. Këto janë zyra që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht se kush është në qeveri. Janë vende pune ku çdo ditë punojnë njerëz, prindër, të rinj, që kanë familje që i presin në shtëpi. Asnjë punonjës nuk duhet të rrezikojë jetën në vendin e tij të punës. Asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë djegien e institucioneve që u përkasin të gjithëve dhe që do t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm", shkroi Ibrahimaj në Facebook.
Ministri i Financave Petrit Malaj ka dënuar aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestës në ambientet e Ministrisë së Financave në qendër të kryeqytetit duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si justifikim për akte të dhunshme.
"Kur fjalët zëvendësohen me gurë, protesta humbet kuptimin e saj. E drejta për të protestuar, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar llogari është e drejtë e çdo qytetari. Dhe duhet respektuar gjithmonë. Por dhuna nuk është mënyra për t'u dëgjuar. Asnjë pakënaqësi nuk e justifikon rrezikimin e jetës së të tjerëve apo dëmtimin e pronës publike dhe private", shkruan Malaj.
Partia Socialiste ka reaguar pas protestës në kryeqytet, duke dënuar dhunën dhe shkatërrimin e pronës. Përmes një postimi, PS thekson se Shqipëria e ka paguar shtrenjtë kaosin në të kaluarën dhe se kushdo që e do atdheun nuk e shkatërron atë.
“Dhuna nuk është zgjidhje!Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione e u shkatërrua prona. Cilido që e do atdheun nuk shkatërron Shqipërinë”, thuhet në postim.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka reaguar pas dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestave në godinën e institucionit që ajo drejton dhe në ambiente të tjera publike në kryeqytet.
Përmes një reagimi Kumbaro ka dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të shoqërohet me përplasje fizike. Ajo siguroi se Ministria e Arsimit do të vijojë të jetë e hapur për dialog me studentët, universitetet dhe prindërit.
Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera. Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e Fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun. Si një universitare që kam protestuar vetë sa herë e kerkonte nevoja për të përdorur këtë të drejtë demokratike të fituar me sakrifica, kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama, protesta qytetare studentore dhe
-dhuna ndaj godinave dhe pronës publike;
-dhuna ndaj vendit të punës të punonjësve publike, aq më shumë kundër punonjësve të Arsimit, nuk kanë lidhje me njera tjetrën!
Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo.
Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve te fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Shqetësimet i dëgjojmë dhe propozimet i shqyrtojmë bashkë, pa paragjykime dhe pa i kthyer mospajtimet në përplasje. Aktet e sotme të shkatërrimit nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët.
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka dënuar sulmin ndaj godinës së Parlamentit dhe institucioneve publike gjatë protestës në kryeqytet, duke i cilësuar këto akte të papranueshme. Përmes një reagimi Peleshi thekson se vandalizmi nuk ka lidhje me protestën demokratike dhe se dhuna dëmton interesin publik dhe shoqërinë. Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet për dhunë, duke nënvizuar se asnjë axhendë politike nuk mund të vendoset mbi interesin e vendit.
“Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme.
Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë.
U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Axhenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria”, thuhet në reagimin e Peleshit