TIRANE- Një ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Ksamil, ku një turist portugez, vetëm 21 vjeç u rrah për vdekje e më pas u qëllua me thikë nga truproja i resortit Principotes, sot në media kanë nisur të publikohen të tjera të dhëna. Siç ZËRI, raportoi më herët, denoncimet vijnë për ndërtimin e resortit në tokë private.
Tashmë një tjetër informacion për lidhjet e pronarit të resortit Principotes ka dalë në dritë. Bëhet fjalë për një fotografi të drejtorit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Endri Haxhiu, i njohur si një nga njerëzit më të ngushtë të ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhe.
Fotografia:
Kush është Bekim Bulica? 36-vjeçari nga Kukësi është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe jo vetëm. Ai rezulton se është pronari i Principotes, biznes i regjistruar në emrin e një 70-vjeçareje nga Kukësi, Kade Bulica, e cila është edhe e ëma e Bekim Bulicës.
Mediat franceze e lidhin Bekim Bulicën me trafikun e kokainës në Paris, ku përmes shpërndarjes së drogës në një sistem "call centeri", ka fituar një thesar të cilin e ka investuar në Ksamil. Lidhjet e Bulicës me Francën janë të dukshme edhe në Principotes, ku në nder të kulturës franceze zhvillohet çdo të hënë nata franceze "La Guerre" (Lufta).
Bekim Bulica ka jetuar në Francë nga ku ai rezulton të jetë ekstraduar në shkurt të vitit 2021. Sipas njoftimit të atëhershëm të policisë, ai “ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me vendimin penal të datës 14.10.2019 i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.09.2019, në Kukës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të shtetasit F. C.”. Është e paqartë se çfarë dënimi ka marrë Bulica dhe sa kohë ai ka kaluar në qeli.
Se çfarë kërkon një zyrtar i shtetit shqiptar me një personazh që "Le Parisien" e cilëson si lord kokaine, kjo është e paqartë. Përgjigjen duhet ta japë Endri Haxhiu. A ka një konflikt interesi?/ZËRI


