TIRANË- Më 24 prill 2025, gazeta prestigjoze franceze Le Parisien publikoi një artikull ku zbulonte se një rrjet shqiptar drejtonte dy call center në Paris dhe periferi, të cilët shpërndanin kokainë me porosi. Në krye të rrjetit qëndron Bekim Bulica.
Tetë persona, shtatë shqiptarë dhe një francez, u vunë nën akuzë për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale. Më 20 shkurt 2026, e njëjta gazetë shkroi për arrestimin e tre shtetasve shqiptarë që shpërndanin kokainë në këmbë dhe me biçikletë në Paris dhe Hauts-de-Seine. Të tre u dënuan me burg. Po këtë vit, Le Monde ka përmendur në një artikull fenomenin e rrjeteve shqiptare të drogës në Paris, por pa iu referuar direkt emrit të Bekim Bulicës.
Në total, 15 të rinj shqiptarë kanë përfunduar në burgjet franceze për shkak të këtij rrjeti. Por kreu i rrjetit Bulica nuk është arrestuar asnjëherë as në Francë e as në Shqipëri dhe vazhdon të pastrojë para me resorte luksi, makina të shtrenjta të regjistruara si prona kompanie etj.
Sipas informacionit që disponon Pamfleti, BKH ka nisur hetimet për pastrim parash dhe në dosjet e drejtësisë figuron lidhja e Bekim Bulicës me firmat e regjistruara në emër të të afërmve të tij. B&F Diagnostics shpk, me pronare L.B. dhe F.P. Bulica Pharma shpk, me pronare L.B. Burime pranë agjencive tregojnë se ka raporte që lidhin rrjetin e Parisit me pastrimin e parave përmes bizneseve të tjera në emër të të tretëve.
Edhe më herët nga media është raportuar se pika qëndrore e skemës së pastrimit të Bulicës është lokali luksoz “Principotes & Tulum Resto Lounge”, i ndodhur përballë “Tre Ishujve” në Ksamil. Restoranti është regjistruar në emër të një të afërmi të Bulicës, përmes një kompanie fantazmë të krijuar në janar 2022 me kapital fillestar vetëm 100 lekë.
Bekim Bulica është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe ndërkombëtare, i cili rezulton i skeduar për një listë të gjatë veprash penale: kanosje, armëmbajtje pa leje, trafik ndërkombëtar droge, dhunë, pastrim parash, ndërtime pa leje dhe korrupsion aktiv. Ai u arrestua në Francë në vitin 2021 dhe u ekstradua në Shqipëri për tentativë vrasjeje ndaj shtetasit F.C. Po ashtu ai u syshua si pjesëmarrës në planin e arratisjes së Arbër Çekajt nga burgu 313 në Tiranë.
Operacioni në Paris vazhdon të drejtohet nga distanca përmes ortakut të tij nga Korça, i cili në dosje figuron me inicialet A.C. Burime brenda strukturave të sigurisë konfirmojnë se SHISH ka raportuar prej kohësh te institucionet përkatëse për aktivitetin e Bekim Bulicës, por deri më tani nuk ka nisur asnjë hetim.
Megjithatë Policia e Shtetit ka kryer një kontroll në lokalin luksoz në Ksamil, ku sipas informacionit që ka "Pamfleti", janë gjetur prova për të cilat Bekim Bulica është skeduar nga agjencitë partnere franceze, por nuk është arrestuar.