TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha mbajti një komunkim për mediat pas daljes nga SPAK ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë "detyrim paraqitje".
Gjatë fjalës së tij, Berisha ironizoi Prokurorinë e Posaçme, duke pretenduar se në ambientet e saj po ndërtohet një “mini-maternitet” për gratë pjesë e kabinetit qeveritar. Këto të fundit, sipas Berishës, përdorin shtatzëninë për të shmangur përballjen me drejtësinë.
"Punime intensive në SPAK. Çfarë pashë aty? Ua njoftova dhe disa ditë më parë. Punime intensive, po ndërtonin një mini-maternitet. Dhe kishin sjellë aty, përveç të gjitha mjeteve që duhen për obstetrikën, edhe inkubatorë për bebet.
Kishin shkruar një listë me emra, për të zgjedhur emrin. Prit, prit se kjo është më interesante.
Po të lindë vajzë, do ta quajnë Skapica, ose Spakica.
Po të lindë djalë, Spakic. Spaku.
Me një fjalë, edhe lista e emrave është bërë gati aty për ato që do të quhen 'bebe të SPAK-ut'. Por, kjo është sigurisht një tallje. Një tallje, por ka një anë më të paimagjinueshme. Se si ministrat, gjasme zyrtarët e qeverisë, përdorin edhe fëmijësinë, shenjtërinë e fëmijësisë, për të shpëtuar nga krimet për të cilat duhet të digjeshin në ferr për vjedhjet që kanë bërë.
Pra, në qoftë se kjo vazhdon këtë hesap, Shqipëria do të bëhet vendi më i turpëruar në botë. Sepse në këtë mënyrë turpërohet fëmijësia, më e shenjta.", tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse kishte një rast konkret për pretendimet e tij, Berisha përmendi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa tha se “flitet” edhe për disa ministre, ish-ministre dhe deputete, pa përmendur emra.
"Veliaj, po ajo u hap shtegu, flitet, flitet për disa. Flitet për disa, po unë nuk jam mjeku i tyre dhe nuk mund t'i bëj publike emrat e tyre, pse t'i flasim. Po flitet për disa ministre, ish-ministre a deputete, me radhë. Kjo flitet për epidemi. Epidemi.", u përgjigj Berisha.
Berisha shtoi se shtatzënia sipas tij, po përdoret për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë./ZËRI