TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar arrestimin në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri dhe pasuritë e sekuestruara në kuadër të hetimeve të SPAK.
Pas daljes nga SPAK, Berisha është pyetur nga gazetarët për kështjellën dhe asetet e tjera të zbuluara në Francë, në emër të biznesmenit. Lidhur me këtë, Berisha hodhi pretendime se hetimet duhet të sqarojnë nëse pasuritë e sekuestruara lidhen vetëm me Ermal Beqirin apo edhe me kryeministrin Edi Rama dhe vëllain e tij, Olsi Rama.
"Tani hetimi duhet të jetë, kështjella është e Ermal Beqirit apo e Edi Ramës dhe Olsi Ramës?
Se ju e patë, ai kishte kështjellë, kishte jahte, kishte avion.
Pra, pasuritë e shqiptarëve, rrogat, pensionet e tyre të vjedhura dhe të shtruara në pasuri përrallore nga Ermal Beqiri.
Druaj shumë, megjithatë hetimet do ta tregojnë, se kështjella mund të jetë e Edi Ramës mbasi ai nuk mund të toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë përveç vetes së tij.
Mundet.", u shpreh Berisha.
Beqiri u arrestua në Francë pak ditë më parë, teksa drejtonte një avion privat. Sipas të dhënave të bëra publike, ai u ndalua fillimisht nga autoritetet franceze pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël pranë centralit bërthamor të Penly, në Seine-Maritime.
Ne emër të tij janë zbuluar një sërë pasurish, llogari bankare dhe një kështjellë me vlerë 2.6 milionë euro, për të cilat SPAK ka kërkuar sekuestrimin.
Ndërkohë, në Shqipëri janë sekuestruar një sërë pasurish, mes tyre prona në Green Coast në Vlorë, pasuri në zonën e "Hoxha Tasim" dhe Rolling Hills në Tiranë, një apartament në Golem, jahti "Skyfall", disa automjete, llogari bankare, si edhe aksione në shoqëri tregtare.