TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debateve dhe protestave që kanë shoqëruar propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Administrativo-Territoriale. Ai e ka cilësuar si një "akt të turpshëm" djegien e kartave të anëtarësisë së PS-së nga disa socialistë në Poliçan, të cilët kundërshtojnë shkrirjen e bashkisë.
Duke përjashtuar atë që ndodhi në Poliçan, Rama shprehet se çdo kritikë apo reagim ndaj reformës është jo vetëm normal, por edhe i mirëpritur. Sipas tij, është e natyrshme që kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre, ndërsa ata që kundërshtojnë reformën mund të protestojnë në mënyrë paqësore, për sa kohë nuk bllokojnë rrugët dhe nuk pengojnë qytetarët e tjerë.
Në reagimin e tij, Rama thekson se dokumenti i reformës ndodhet në fazën 60-ditore të konsultimit publik të detyrueshëm, periudhë gjatë së cilës çdo qytetar dhe institucion ka të drejtë të shprehë lirisht mendimin për propozimin. Gjithashtu, kreu i qeverisë ka hedhur poshtë pretendimet për përçarje apo "regjim" brenda Partisë Socialiste.
"Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, pse tanimë po protestohet edhe 'brenda PS' dhe kjo qenka një shenjë tmerrësisht e keqe për 'regjimin'.
Në fakt jo. Përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS-së në një rast, nga disa individë që as vetë s'kanë ditur tamam ç'kanë bërë, apo ndonjë rast kur deputetë tanë kanë bërë 'tribunin e vegjëlisë' pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale, por edhe e mirëpritur.
Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht: bujrum, gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.
Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore, për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre.
Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë Parlamenti. Deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë te vetja bashki më të vogla, të cilat në propozimin aktual mbeten siç janë.
Nga ana tjetër, të gjithë do të informohen shumë më tepër gjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve, ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftërat e 2000 viteve të fundit apo të dhëna e gojëdhëna të kësaj natyre, të cilat nuk kanë qenë dhe nuk mund të jenë argumente në këtë debat", shkruan Rama në platformën X.
Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 bashkive me njësi më të mëdha. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha.
Sipas propozimit, struktura e re synon një administrim më efikas të pushtetit vendor, duke ruajtur bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një administratë dhe buxhet të unifikuar./ZËRI

