TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërishs sot pas vendimit të GJKKO, e cila ndryshoi masën e sigurisë për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke e lënë në "arrest shtëpie".
Gjatë një bashkëbisedimi online me ndjekësit e tij, Berisha ironizoi vendimin e gjykatës, duke deklaruar se shqiptarët nuk duhet të habiten nëse kryeministri Edi Rama, sipas tij, i dorëzon Beqajt një certifikatë mirënjohjeje.
"Ju e patë, gjykata e liroi dje Ilir Beqajn. Madje, ju garantoj se pas një apo dy javësh, Edi Rama do t'i dorëzojë atij çertifikatën e mirënjohjesl, siç e bëri ndaj Jurgis Çyrbe apo dhe me Bardhyl Agasin", tha Berisha.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, vetë ish-ministri Ilir Beqaj në një reagim publik, ironizoi Berishën lidhur me deklaratën e tij një ditë më parë. Beqaj paralajmëroi se kryedemokratit Berisha do t'i përgjigjet në sallën e gjyqit, pasi ky i fundit e cilësoi vendimin si "dëshmi të fundit flagrante të kontrollit të plotë dhe total të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama", ndërsa tha se akuza ndaj Beqajt ishte "qesharake" në raport me atë që ai e cilësoi si "plaçkitjen e qindra milionë eurove"./ZËRI
