Politikë

"Vetëm Rinasi ndryshon territor", Mazniku sqaron "Territorialen": Asnjë shërbim nuk largohet, bashkitë që shkrihen do kenë nënkryetarë

Mazniku theksoi se ndryshimet e propozuara nuk do të sjellin largimin e shërbimeve nga qytetet që do t'u bashkohen bashkive më të mëdha.

zh.ll
"Vetëm Rinasi ndryshon territor", Mazniku sqaron
arbjan mazniku

TIRANË- Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku, ka prezantuar draftin e ri që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46. Gjatë një konference për mediat, ai sqaroi se ky propozim synon të krijojë një qeverisje vendore më funksionale dhe më të aftë për të ofruar shërbime cilësore.

Mazniku theksoi se ndryshimet e propozuara nuk do të sjellin largimin e shërbimeve nga qytetet që do t'u bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas tij, qytetarët do të vijojnë të marrin shërbimet në të njëjtat territore. Ai shtoi çdo bashki që pritet të shkrihet do të ketë një nënkryetar.

“Kjo është reformë që bëhet për të mirën e qytetarëve, për të pasur mundësi që çdo bashki të ofrojë shërbimet më të mira të mundshme. Elementi i dytë lidhet me konceptin e decentralizimit. Cila funksione nga qeveria ne i afrojmë te bashkia. Asnjë shërbim nuk largohet nga territori. Elementët që largon, janë elementët me plan buxhetor, urban, zhvillimin ekonomik, elementët ligjorë, elementë të cilat qytetari në thelb nuk shkon për të parë si është bërë vendimi i këshillit bashkiak. Ne kemi detyra që sot shumica i bashkive nuk i operojnë dot se s’kanë arktiket, makineri. Pastrimi i kanalit kullues të kanalit vaditës do vazhdojë të bëhet në Belsh. Elementi fizik i punës do ndodhë aty”, tha Mazniku.

Drafti i Partisë Socialiste propozon që Aeroporti i Rinasit t'i kalojë nën administrim kryeqytetit, duke ja hequr Krujës. Lidhur me këtë, Mazniku cilësoi si të vetmin territor për të cilin është propozuar ndryshim kufijsh. Sipas tij, kjo lidhet me faktin se Tirana përfiton më shumë nga aktiviteti i aeroportit dhe njëkohësisht është ajo që përballon kostot më të mëdha për mirëmbajtjen e infrastrukturës që e lidh me të.

“Rinasi është rasti i vetëm ku propozuam ndryshim territori, sepse Tirana është përfituesja më e madhe nga ajo që gjeneron Rinasi. Akset që vijnë nga Rinasi kanë nevojë për mirëmbajtje më të madhe për shkak të aeroportit. Kjo bëhet për t’i dhënë mundësi atij territori dhe për të ekuilibruar përfituesit me atë që mban kostot”, sqaroi Mazniku.

Në fund, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale hodhi poshtë pretendimet se ndryshimet kanë motive politike.

“Elementi politik nuk është futur fare në këtë diskutim. Lëvizja e këtyre bashkive nuk ndikon në ndryshimin e rezultatit në nivel kombëtar. Është e qartë se synimi është rritja e eficiencës së funksionimit të këtyre bashkive”, tha Mazniku.

Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet./ZËRI

Poll

MOS HUMB