Politikë

Çfarë vendosi qeveria? Nga Instituti Onkologjik te zjarret, shkollat dhe misioni në Gaza, zbardhen vendimet

Bëhet fjalë për vendime që prekin drejtpërdrejt qytetarët, nga shëndetësia te arsimi, turizmi dhe mbrojtja, etj.

zh.ll
Çfarë vendosi qeveria? Nga Instituti Onkologjik te zjarret, shkollat
foto ilustruese

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e djeshme, 30 korrik 2026, një sërë vendimesh dhe projektligjesh. Bëhet fjalë për vendime që prekin drejtpërdrejt qytetarët, nga shëndetësia te arsimi, turizmi dhe mbrojtja, etj.

Krijohet Instituti Kombëtar Onkologjik-Check-Up falas

Krijimi i Institutit Kombëtar Onkologjik si strukturë shëndetësore universitare dhe kërkimore-shkencore ishe një nga vendimet kryesore që u njoftoi nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pas përfundimit të mbledhjes. Ky institucion do të ketë në fokus trajtimin e sëmundjeve onkologjike, zhvillimin e kërkimit shkencor, edukimin e profesionistëve të shëndetit dhe ofrimin e shërbimeve të specializuara për pacientët. 

Gjithashtu, ministrja njoftoi edhe ndryshime në programin kombëtar të Check-Up. Me vendimin e ri hiqet kufiri maksimal i moshës për përfitimin e kontrollit shëndetësor falas, duke u mundësuar edhe qytetarëve mbi 70-vjeç të përfitojnë nga ky shërbim. Një tjetër ndryshim është kalimi i shërbimeve të Check-Up dhe dializës në administrimin e shtetit.

Ndalohen punimet në zonat turistike deri më 15 shtator

Në kuadër të sezonit turistik 2026, u vendos pezullimi i punimeve të ndërtimit dhe aktiviteteve të lidhura me to në zonat turistike. Ky kufizim do të jetë në fuqi nga hyrja në fuqi e vendimit deri më 15 shtator 2026.

Punimet e ndërtimit në zonat turistike do të pezullohen gjatë sezonit duke përfshirë nga pikat e nxjerrjes dhe përpunimit të inerteve, te hedhja e themeleve e gërmimit si dhe çdo punim që shkakton zhurma e ndotje. Përjashtim bëjnë vetëm ndërhyrjet e vogla dhe ngritja apo sistemimi i kantiereve që duhet të realizohen brenda fashës orare 08:00-17:00.

Shpërblim për ushtarakët e angazhuar në shuarjen e zjarreve

Një tjetër vendim lidhet me shpërblimin e personelit të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve gjatë vitit 2026, si vlerësim për punën e kryer në përballimin e situatave emergjente.

Forcat e Armatosura do të shpërblehen me një pagë mujore si vlerësim për punën e tyre për shuarjen e zjarreve të këtij viti. Shpërblimi do të përllogaritet mbi bazën e pagës bruto të punonjësit. Për personelin e Forcave të Armatosura janë planifikuar gjithsej 154,281,120 lekë që do të ndahen sipas buxheteve përkatëse.

Shqipëria dërgon ushtarakë në misionin në Gaza

Në mbledhje u miratua gjithashtu propozimi për një projektligj që lidhet me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza. Në një deklaratë për mediat, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se përfaqësia shqiptare do të nisë fillimisht me katër oficerë shtabi.

Projektligji parashikon që numri maksimal i personelit të Forcave të Armatosura që mund të marrë pjesë në mision të jetë 40 ushtarakë. Sipas projektligjit, ushtarakët pjesëmarrës, përveç pagës mujore, të përfitojnë dieta për ditët e qëndrimit në operacion, në masën që do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Miratohet programi "Pas Shkolle"

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me shkollat. Qeveria ka miratuar organizimin dhe zhvillimit të programit “PAS SHKOLLE”, një veprimtari, që do të zhvillohet jashtë orarit mësimor të detyruar me të gjithë nxënësit e regjistruar në 500 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në vend.

Vendimi i qeverisë ka përcaktuar kategoritë dhe kriteret për përzgjedhjen e trajnuesve, mënyrën e aplikimit, dokumentacionin që paraqesin si edhe mënyrën e përzgjedhjes. Pagesa për çdo orë për trajnuesit është 1 000 lekë. Kërkesa për aplikim për t’u angazhuar në programin “Pas shkolle” për mësuesin e klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, do të kryhet në rrugë elektronike./ZËRI

Poll

MOS HUMB