Aktualitet

U lirua nga burgu, reagon ish-ministri Ilir Beqaj: Kam qëndruar padrejtësisht në paraburgim!

Përmes një deklarate të shpërndarë nga avokati i tij, Beqaj e cilëson të pajustifikuar qëndrimin e tij në paraburgim, shprehet se ka kaluar 25 muaj pa asnjë vendim dënimi, duke theskuar se nuk qenë asnjë ditë 'i burgosur'.

zh.ll
U lirua nga burgu, reagon ish-ministri Ilir Beqaj: Kam qëndruar
ilir beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar një ditë pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi lirimin e tij nga paraburgimi, për shkak të përfundimit të afateve ligjore të masës së sigurisë në dosjen SASPAC.

Përmes një deklarate të shpërndarë nga avokati i tij, Beqaj e cilëson të pajustifikuar qëndrimin e tij në paraburgim, shprehet se ka kaluar 25 muaj pa asnjë vendim dënimi, duke theskuar se nuk qenë asnjë ditë 'i burgosur'.

Ish-ministri mohon akuzat ndaj tij, duke deklaruar se gjatë hetimeve nuk është gjetur asnjë provë që të tregojë pasurim të paligjshëm apo përfitime nga funksionet që ka mbajtur, ndërsa shprehet se do të vijojë të mbrojë pafajësinë e tij në proceset gjyqësore.

Në fund të reagimit, ish-ministri paralajmëroi se kryedemokratit Berisha do t'i përgjigjet në sallën e gjyqit, pasi ky i fundit e cilësoi vendimin si "dëshmi të fundit flagrante të kontrollit të plotë dhe total të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama", ndërsa tha se akuza ndaj Beqajt ishte "qesharake" në raport me atë që ai e cilësoi si "plaçkitjen e qindra milionë eurove".

Reagimi i plotë

Fundi i një paraburgimi të pajustifikuar!

Dje pati shumë lajme se gjykata më kishte liruar nga burgu.

Në të vërtetë, deri më sot, nuk kam qenë asnjë ditë i burgosur. I burgosur është një person i dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë.

Unë kam qenë për 25 muaj në paraburgim, në kuadër të një hetimi të SPAK-ut. Prej 16 muajsh jam edhe i pandehur nga SPAK-u, por, deri më sot, nuk kam marrë asnjë dënim, qoftë edhe në shkallën e parë.

Gjykata vendosi dje se qëndrimi im në paraburgim nuk mbështetej më në dispozitat e procedurës penale. Afatet ligjore të paraburgimit kishin përfunduar, çka e bënte të pavlefshëm vendimin për paraburgim të datës 03.07.2024. Ky fakt u pranua edhe nga përfaqësuesi i organit të akuzës.

Vendimi i djeshëm u parapri nga një vendim i gjyqtarit të seancës paraprake, i dhënë pak ditë më parë. Në atë vendim u arsyetua se argumentet dhe provat e paraqitura nga organi i akuzës ishin të pamjaftueshme për të vijuar gjykimin.

Në fakt, kam qëndruar padrejtësisht në paraburgim gjatë 15 muajve të fundit. Akuzohem si funksionar i lartë, në kundërshtim me Kushtetutën, me Kodin e Procedurës Penale, me tri vendime gjyqësore të dhëna drejtpërdrejt për rastin tim, si dhe me jurisprudencën e GJKKO-së.

Kam shërbyer për tre vjet e gjysmë si ministër i Shëndetësisë dhe për dy vjet si drejtor i Përgjithshëm i SASPAC-ut.

Aktualisht kam njëkohësisht tri procedime penale në SPAK, me hetime që, të marra së bashku, zgjasin prej 16 vjetësh: 6,5 + 6,5 + 3. Megjithatë, ende nuk kam asnjë dënim, as në shkallën e parë. Gjatë gjithë këtyre hetimeve nuk është gjetur as edhe një qindarkë apo një cent që të tregojë se pasuria ime është shtuar në mënyrë të paligjshme, si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve të lidhura me detyrat e mia shtetërore.

Sot jam i lumtur që ndodhem pranë familjes sime. Jam gjithashtu i kënaqur që, duke filluar nga shtatori, do të marr pjesë në proceset penale jo më nga kafazi i sigurisë dhe do të kem akses në versionin elektronik të fashikujve hetimorë. Këto të drejta, të garantuara nga Konventa Evropiane, Kushtetuta dhe legjislacioni procedural penal, më janë mohuar në mënyrë të paligjshme nga gjykatat, organi i akuzës dhe administrata e burgjeve.

Ftoj këdo që ka mundësi ta vazhdojë betejën për këto kauza, sepse ato i shërbejnë procesit të rregullt ligjor dhe barazisë së armëve.

Mora vesh se dje më kishte dërguar selam edhe doktor Berisha.

Nuk do t’i përgjigjem këtu, sepse në vjeshtë do t’i jap mundësinë të thotë edhe më shumë, kur të vijë si dëshmitar në procesin për koncesionin e instrumenteve kirurgjikale.

Pushime të mbara!

Rishihemi në shtator.

Ish-ministri Ilir Beqaj u lirua me vendim të GJKKO-së, e cila vendosi ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij për shkak të përfundimit të afateve ligjore të paraburgimit. Ish-ministri do të vijojë të përballet me procesin gjyqësor jashtë qelisë, ndërsa ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Beqaj mbahej në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB