TEPELENË– Policia ka identifikuar pesë persona të dyshuar si të përfshirë në konfliktin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 31 korrikut në Tepelenë, ku tre persona mbetën të dëmtuar pas përplasjes.
Sipas njoftimit zyrtar, pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, janë shpallur në kërkim shtetasit me iniciale R. Ç., 23 vjeç, Sh. Ç., 22 vjeç, A. Ç., 30 vjeç, A. Ç., 58 vjeç dhe H. Ç., 43 vjeç, të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Nga hetimet paraprake rezulton se gjatë konfliktit një prej personave të shpallur në kërkim dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren për lokalizimin dhe kapjen e pesë të dyshuarve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI
Një konflikt mes disa personave në Tepelenë ka përfunduar me 3 të plagosur. Sipas burimeve, konflikti kishte nisur gjatë orëve të paradites së djeshme dhe më pas ka degraduar sërish pas mesnate.
Burime bëjnë me dije se rreth orës 01:00, një grup personash ka shkuar pranë një lokali lloto në qytet, ku ndodheshin disa prej personave me të cilët kishin pasur përplasje më herët. Mësohet se grupi ka mbërritur me tre automjete fuoristradë, ndërsa konflikti ka kaluar nga debati në përplasje fizike, ku janë përdorur mjete të forta dhe sende të ndryshme, si shkopa bejsbolli.
