Aktualitet

Lirohet nga burgu ish-ministri Ilir Beqaj, GJKKO i cakton masën "arrest shtëpie"! Avokati: Vendim i balancuar

Pak ditë më parë, Beqaj kishte kërkuar një masë më të butë sigurie, duke propozuar edhe vendosjen e një garancie pasurore prej 2 milionë lekësh, ose një shume tjetër që gjykata do ta vlerësonte të përshtatshme.

zh.ll
Lirohet nga burgu ish-ministri Ilir Beqaj, GJKKO i cakton masën
ilir beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është liruar nga qelia. Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë për Beqajn, nga "arrest në burg", në "arrest shtëpie". Ndryshimi i masës së sigurisë ka të bëjë me kalimin e afateve të paraburgimit.

Vendimi është marrë nga GJKKO pas shqyrtimit të kërkesës së Beqajt për shuarjen e masës “arrest në burg”, me argumentin se janë tejkaluar afatet e paraburgimit.

“Kërkuesi, i pandehuri Ilir Beqaj me datë 30.07.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimi i humbjes së fuqisë së paraburgimit dhe shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg”; lirimi i menjëhershëm; subsidarisht caktimi i një mase më të butë sigurimi.”. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, me vendimin nr. 550, datë 31.07.2026, vendosi:  1. Pranimin e kërkesës. 2. Konstatimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit “Arresti në burg”, caktuar ndaj të pandehurit Ilir Beqaj me anë të vendimit me Nr. 65, datë 03.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, për shkak të kalimit të afatit të paraburgimit.  3. Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Ilir Beqaj. 4. Urdhërohet i pandehuri Ilir Beqaj të mos largohet nga banesa e tij, e ndodhur në ****, Rruga ****, Pallati ****, sheshi **** ap. ****. 5. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Ilir Beqaj nëse nuk mbahet i dënuar, i arrestuar apo i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale.   6. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ndjekjen edhe zbatimin e këtij vendimi.  7. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Beqaj mbahej në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit.

Pas daljes nga GJKKO, avokati i ish-ministrit, Ermal Yzeiraj, e cilësoi vendimin si të balancuar. Sipas tij, kjo i jep mundësi Prokurorisë të provojë akuzën, e cila për të mbetet ende e paqartë.

“Mori vendimin për kthimin mbrapsht të akteve të dosjes në Prokurori. Ky vendim bën që afatet e mëparshme të bashkohen me afatet e hetimit paraprak, ndërsa afatet e paraburgimit shuhen. Vendimin e sotëm nuk do ta apelojmë, ashtu siç nuk do ta apelojë as Prokuroria. Edhe Prokuroria ishte dakord me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Tani i takon Prokurorisë të marrë vendimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe unë pres që zoti Beqaj të shkojë në shtëpi. Zoti Beqaj ishte i lumtur që do të kthehet në shtëpi, por prej më shumë se dy vitesh jemi sorollatur për një çështje që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Ky është një vendim i balancuar, që i jep mundësi Prokurorisë të provojë akuzën, e cila deri më sot mbetet e paqartë. Shpresoj që Prokuroria të tregohet korrekte në përmbushjen e detyrave që do t’i lërë gjykata. Afatet e paraburgimit shuhen. Kemi më shumë se dy vjet dhe ato tashmë janë tejkaluar“, u shpreh avokatit i Beqajt.

Ndërkohë, ditën e djeshme, GJKKO liroi edhe bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtulaj. GJKKO pranoi kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me masën “arrest në shtëpi”. Vendimi është marrë pas argumentimit të mbrojtjes mbi përfundimin e afateve maksimale të paraburgimit, duke iu referuar edhe  vendimit të Gjykatës së Lartë për kufijtë kohorë të masave të sigurisë.

Poll

MOS HUMB