TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Parlamenti Europian miratoi progres-raportin për Shqipërinë. Raporti mori dritën jeshile me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenim, ku mes raportit një vëmendje i kushtohet edhe zonave të mbrojtura në Vjosë-Nartë.
Përmes një ragimi në rrjetet e tij sociale, Rama ndalet te çështja e zonës së mbrojtur Vjosë–Nartë, duke u shprehur se Parlamenti Evropian ka ndarë, sipas tij, “shapin” e stuhisë digjitale të dezinformimit nga “sheqeri” i kësaj zone.
Sipas Ramës, PE nuk ka thënë atë që po pretendohet në diskutimin publik dhe se gjithçka është keqinterpretuar, ndërsa projektet do të vijojnë të realizohen sipas standardeve të Bashkimit Evropian: "Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian".
Lidhur me këtë, kreu i qeverisë ka publikuar edhe një foto të amendamentin, sipas të cilit "çdo projekt në këtë fushë duhet t'i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së".
Edi Rama: Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë - Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë. Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove! Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar.


