BRUKSEL- Zona e Vjosë–Nartës ka marrë vëmendjen e Parlamentit Europian, i cili në raportin për Shqipërinë 2025, kërkon ndalimin e ndërhyrjeve të reja në zonat e mbrojtura dhe rishikim të ligjit për mbrojtjen e natyrës (ligji 21/2024).
Në dokument, eurodeputetët shprehin shqetësim për zhvillimet e vazhdueshme në zonat e mbrojtura në Shqipëri, duke theksuar nevojën për forcimin e standardeve mjedisore.
Sipas dokumentit, Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin një moratorium të menjëhershëm mbi të gjitha procedurat e reja të lejeve, ndërtimet dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura të miratuara në vitin 2024.
Amendamenti 46a: Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t'i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.
Parlamenti Europian ka miratuar sot në 17 qershor raportin vjetor të progresit për Shqipërinë me 483 vota pro./ZËRI