
TIRANË- Masa ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ka nxitur debate të ashpra në Kuvend. Kryedemokrati Sali Berisha hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa në replikë, deputeti socialist Blendi Klosi i kujtoi precedentin me ish-kreun e SHISH, Bashkim Gazidede.
Klosi i u drejtua Berishës duke thënë se ai i ka sulmuar gjithmonë institucionet e inteligjencës, ndërsa e akuzon duke e quajtur “më të korruptuarin në Ballkan”.
“Në 22 vite ke drejtuar këtë forcë politike, por nuk ke hequr dorë nga akuzat për çdo institucion dhe krerët e shërbimeve sekrete. E përmende vetë, ke goditur institucionet e sigurisë kombëtare.
Ne e kemi diskutuar me fakte me reformën në drejtësi standardin tonë. Ne e kemi vërtetuar se nuk do të mbrojmë askënd në raport me drejtësinë dhe të gjithë do të përballen.
Shefi i shërbimit tënd, Gazidede, ishte akuzuar për vrasje dhe u bë komandant i FA, duke hapur depot dhe shkatërruar vendin. Sot je non-grata, i akuzuar si kriminel dhe një nga më të korruptuarit e Ballkanit dhe vijoni të dilni këtu. 22 vjet Sali Berisha drejton në opozitë”, u shpreh Klosi./ZËRI