TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas përshkallëzimit të protestave në Tiranë. Përmes një video-mesazhi, Begaj ka dënuar aktet e dhunës, duke theksuar se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve.
Megjithatë, kreu i shtetit theksoi se dhuna nuk është zgjidhje, ndërsa bëri thirrje për qetësi dhe maturi. Begaj përsëriti gjithashtu se mbetet i hapur për të ofruar një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi, në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.
View this post on Instagram
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj
Të dashur qytetarë,
Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.
Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.
Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.
Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.
Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.
U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.
Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.