Politikë

“Konflikt interesi”/ Berisha në "Kushtetuese", kërkon përjashtimin nga çështja e tij të partneres së Enkelejd Alibeajt

Pretendimi i Berishës qëndron në faktin se kjo e fundit është bashkëjetuesja e (ende) deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajt.

k.m.
“Konflikt interesi”/ Berisha në "Kushtetuese",
Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka paraqitur kërkesë për përjashtimin nga çështja e tij të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari. Pretendimi i Berishës qëndron në faktin se kjo e fundit është bashkëjetuesja e (ende) deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajt. Ky i fundit është një nga personat që mban ende qëndrim kundër Berishës, ndërsa kryedemokrati e përmend kudo duke e sulmuar për aleancë me zyrtarë të Partisë Socialiste. 

Po ashtu, Alibeaj është i vetmi deputet nga radhët e opozitës që mori pjesë në Këshillin e Mandateve dhe votoi pro heqjes së mandatit të Sali Berishës kur u kërkua nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vlen për t'u përmendur gjithashtu se Berisha është në një betejë gjyqësore me Alibeajn për logon dhe vulën e Partisë Demokratike, edhe pse tashmë ka krijuar një lëvizje të re politike e cila quhet "Djathtas 1912".

Me Alibeaj, Berisha ka pasur përplasje fizike edhe në parlament, ku e shtyu nga Foltorja që të merrte fjalën në vendin e tij. Duke marrë parasysh të gjitha këto çështje, Berisha kërkon që: Marsida Xhaferllari s’mund të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes, pasi është në konflikt interesi, përderisa është partnere e Enkelejd Alibeajt! 

Pse është Berisha në "Kushtetuese"?

Në tetor të vitit të shkuar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi ndaj kryedemokratit masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Berisha kërkon heqjen e kësaj mase sigurie, kështu që seanca e parë në Kushtetuese do të jetë më datë 19 Nëntor 2024. Padia e bërë në Kushtetuese nga Sali Berisha u pranua disa ditë më parë nga trupa gjykuese. Në tetor të vitit të shkuar, GJKKO caktoi ndaj kreut të Partisë Demokratike masën "detyrim paraqitje", por duke qenë se kjo masë nuk u respektua nga Berisha, hetuesit kërkuan ashpërsimin e masës, duke e lënë liderin e opozitës në "arrest shtëpie". Berisha ndodhet nën arrest shtëpiak prej 30 Dhjetorit 2023 për shkak se akuzohet zyrtarisht për dosjen "Partizani".

Edhe pse Berisha ka ndjekur të gjitha shkallët e gjyqësorit për heqjen e masës së sigurisë, tashmë dosja ka kaluar edhe në Gjykatë Kushtetuese.B erisha pretendon se SPAK ka shkelur ligjin, pasi edhe për masën detyrim paraqitjeje që ai nuk e zbatoi në muajin Tetor 2023, duhet t’i drejtohej Kuvendit për miratim për shkak se po i pengohet ushtrimi i detyrës si deputet. Një vit më pas, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv. Ngritja e akuzës nga SPAK mund të favorizojë lirimin e Berishës nga "arresti i shtëpisë" për shkak se një nga arsyet përse u "mbyll" në banesë kryedemokrati, ishte për të ndaluar ndërhyrjen e mundshme tek dëshmitarët. Duke qenë se tani, dosja do të dërgohet për gjykim, Kushtetuesja mund të vendosë për lirimin e Berishës./ZËRI

Poll

MOS HUMB