Politikë

SPAK përfundon hetimet, merr të pandehur Plarent Ndrecën

Plarent Ndreca është thirrur në SPAK për t'u njohur me akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK.

k.m.
SPAK përfundon hetimet, merr të pandehur Plarent Ndrecën
Plarent Ndreca

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca. Ky i fundit është thirrur në SPAK për t'u njohur me akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK. Deputeti socialist ishte nën hetim lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur mbante detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme. Por ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar të lëshuar nga ana e SPAK. 

Ndrecës ju komunikua akuza “Shkelje të barazisë në tender”. Për të njëjtën gjë u akuzuan edhe disa zyrtarë të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Në vitin 2019, Ndreca u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Në atë kohë, kjo ministri zhvilloi disa tendera për rindërtimin e komisariateve të policisë në rrethe të ndryshme të vendit. Por këto tendera u veshën me dyshime të forta për korrupsion.

Çështja u soll për herë të parë në publik nga një auditim i KLSH-së, pas të cilit organi auditues bëri edhe kallëzim në SPAK. Dy ditë më parë, prokurorët e SPAK morën për më shumë se 1 orë e gjysmë në pyetje ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Sipas raportimeve Lleshaj është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e tenderave nën hetim nga SPAK. Por nëse Lleshaj është thirrur si person në dijeni, ish-Sekretari i tij i Përgjithshëm duket në pozita më të vështira në raport me hetimin e Prokurorisë.

Plarent Ndreca ka mbajtur disa poste të rëndësishme në Qeverinë Rama. Para se të merrte postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, ai ka mbajtur dhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.

Gjatë kohës që ka qenë në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca është akuzuar nga opozita edhe në lidhje me tenderin abuziv 28 milionë euro të uniformave të Policisë së Shtetit. or, në atë kohë SPAK mori të pandehur vetëm 10 zyrtarë të thjeshtë të Ministrisë së Brendshme dhe hetimet nuk u shtrinë as tek Plarent Ndreca dhe as tek ish-shefi i tij, Sandër Lleshaj.

Ndreca mori mandatin e deputetit në Janar të këtij viti, pas vendit të lënë bosh nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj. Mandati i Ahmetajt i takonte Dallëndyshe Bicit sipas votës preferenciale të zgjedhjeve të vitit 2021, por ajo e refuzoi duke dërguar kështu në Kuvend si deputet, Plarent Ndrecën./ZËRI

Poll

MOS HUMB