Politikë

Dosja “Partizani”/ Shtyhet për nesër seanca paraprake, Berisha&Malltezi 'bojkot', në GJKKO shkon vetëm Bektashi

Nëse Berisha shpallet fajtor ai mund të dënohet nga 4 deri në 12 vite burg për veprën penale “Korrupsion pasiv”

I.F
Dosja “Partizani”/ Shtyhet për nesër seanca paraprake,
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi

TIRANË- Është shtyrë për nesër seanca paraprake për dosjen "Partizani". Sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të mbahej seanca paraprake për kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurit e dosjes “Partizani”. Tre të tjerët janë biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina. Në seancën gjyqësore ka shkuar i pranishëm vetëm biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërsa kreu i PD-së dhe të pandehurit e tjerë nuk janë paraqitur, por janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. 

"Për shkak të volumit të dosjes seanca është shtyrë për 25 nëntor në orën 12:00. Berisha nuk ishte e nevojshme të paraqitej. Në seancat proceduriale nuk është e nevojshme paraqitja e tij. Ai është pjesë e procesit si në prezencë si në mungesë. Ne do të kërkojmë pushimin e çështjes. Pastaj vendimmarrja është e gjykatës...,"-tha Gjokutaj pas seancës. 

Ndësa edhe avokati Sokol Mëngjesi është rikthyer sërish në punë, pasi u dhunua barbarisht nga disa persona. Ai u pa në ambientet e Gjykatës së Posaçme për të mbrojtur klientin e tij, Berishën. 

Gjyqtarja paraprake e çështjes është zgjedhur Flojera Davidhi, e cila do të vendosë edhe mbi fatin e çështjes nëse do të dërgohet ose jo për gjykim. Në fund të gjykimit, nëse Berisha shpallet fajtor ai mund të dënohet nga 4 deri në 12 vite burg për veprën penale “Korrupsion pasiv”, ndërsa për dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili po hetohet edhe për pastrim parash, masa e dënimit mund të variojë nga 5-15 vite heqje lirie.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet lidhur me çështjen e ish-kompleksit "Partizani". Kështu, dy hetuesit Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dorëzuan tashmë të përmbyllur dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkë me kryedemokratin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, akuzë penale është ngritur për dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina.

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ndërsa ky i fundit, akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe per “pastrim parash”. /ZËRI

Poll

MOS HUMB