
TIRANË-Komisioni i Medias do i kërkojë zyrtarisht Këshillit Drejtues të ndërpresë procesin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTSH. Anëtarët e opozitës dhe të mazhorancës u bënë bashkë në këtë paralajmërim dhe miratuan një shkresë drejtuar këtij këshilli, ku i kërkohet të ndërpresë procesin e përzgjedhjes me argumentin se po ndiqen procedura jashtëligjore dhe i kërkuan paraqitjen urgjente para komisionit për të dhënë llogari.
Partia Socialiste garanton se do të angazhohet të ndërmarrë çdo hap që i garanton ligji për të garantuar garën e drejtë. Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa thotë se nëse nuk pranojnë që të ndërpresin procesin, PD do kërkojë shkarkimin e anëtarëve.
DISKUTIMET:
Kushi: Nuk kemi lidhje me emrat, kemi lidhjet me hapat, duhet të jetë garë e hapur, transparente meritokratike, do i dërgojmë një shkresë siç e kërkuat që të ndërpresin procesin dhe të na informojnë çfarë po ndodh, se kanë të drejtën të mbrojnë punën e tyre nëse po bëjnë punë të drejtë siç pretendojnë ata, sot ose nesër, sepse kanë njoftuar të premten seanca dëgjimore të 2 kandidatëve që kanë zgjedhur.
Zhupa: Jemi dakord, të përfshijmë në shkresë edhe faktin që këtë detyrim që i japim për të ndërprerë procesin, nëse nuk e zbatojnë, ne pala e opozitës (do të kërkojmë shkarkimin e tyre nga këshilli drejtues). T’ia vendosim që nëse nuk zbatojnë këtë kërkesë të komisionit ne do të jemi të detyruar të vazhdojmë me procedurën parlamentare të anëtarëve të këshillit të drejtimit Të 5 që përfaqësojnë pakicën parlamentare në këshillin drejtues, jemi të gatshëm ti shkarkojmë, dhe ti kërkojmë kuvendit emërimin e të tjerëve në përputhje me ligjin, se është krijuar ideja në këshillin drejtues që ata s’kanë çfarë bëjnë se na kanë zgjedhur se s’do bien dakord me njëri tjetrin PS-PD dhe mendojnë se janë pronarë të fakto të RTSH. Unë shpreh vullnetin tim në emër të grupit të PD që nëse nuk ndërpresin procesin, që të hënën fillojmë procedurat për procedurat e shkarkimit.
Kushi: Jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap që na lejon ligji për të garantuar garë të hapur
Zhupa: Ky nuk është kërcënim, është paralajmërim siç bën çdo njeri që ka në mbikëqyrje një institucion tjetër, për ta paralajmëruar siç e kërkon ligji që mos të jetë në mënyrë të rrufeshme pse na shkarkuan. Çdo shkelje e ligjit ka një pasojë mbrapa.
Koçi: Këshilli nuk mund të shkelë kriteret, mund të ketë përzgjedhje nga platformat, por që të ndalojë paraprakisht është e paligjshme. Duhet parë mirë çështja e konfliktit të interesit, kemi dëgjuar në këtë sallë se si prej tyre është kërkuar të përfitojnë projekte në Radio Televizion.
Zhupa: Pasi të zgjidhim ngërçin e këtij procesi, nëse ata qëndrojnë ende në detyrë, për secilin të bëhet pjesë skanimi për konfliktin e interesit. S’mund ta kthejmë Këshillin Drejtues njërën dorë në bakllava, tjetrën në revani.
Çfarë ndodhi me votimin
Gara për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Shqiptar u mbulua nga akuzat për paligjshmëri, pasi Këshilli Drejtues vendosi me shumicë votash që të skualifikojë 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim. Pas votimit, në garë mbetën vetëm drejtoresha e komanduar pas dorëheqjes së Alfred Pezës, Aurora Polo dhe drejtori i RTSH-së në Shkodër, Jetmir Shpuza. Të gjithë të tjerët u skualifikuan! Në mbledhje, në kundërshtim me ligjin për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, anëtarët e Këshillit kryen një votim pa diskutuar kriteret që plotësonin, ose jo, kandidatët që po merrnin pjesë. Një tjetër problem ka lidhje me faktin që njëri nga anëtarët nuk ishte fare i pranishëm në mbledhje. Ai e ka votuar nga Vietnami, duke thyer rregullin kyç, atë të votimit të fshehtë.
5 muaj nga dorëheqja e Alfred Pezës, Radio Televizioni Shqiptar ende nuk e ka një drejtues. Që nga largimi i Pezës, drejtoreshë e komanduar e Radio Televizionit Shqiptar u vendos Aurora Polo. Me hapjen e garës, secili nga kandidatët do t’u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve, por kjo nuk ka ndodhur. Nëse në tre raundet e para, nuk arrihet zgjedhja e tij me shumicë absolute, në raundin e katërt, ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Në rastet kur as kjo nuk arrihet, atëherë Këshilli Drejtues i RTSH-së do të duhet të shpërndahet, një formulë kjo që përdoret edhe me Parlamentin kur nuk arrin të zgjedhë dot Presidentin./ZËRI