Politikë

PD-PS bashkë për garën e RTSH! Zhupa: U shkel ligji! Kushi: Ktheni normalitetin, ose Kuvendi merr masa drastike (SHKELJET)

"Spastrimi" i kandidatëve ka sjellë reagime dhe kritika, madje si rrallë herë ka bërë bashkë edhe politikën, në këtë rast maxhorancën dhe opozitën.

k.m.
PD-PS bashkë për garën e RTSH! Zhupa: U shkel ligji! Kushi:
Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza

TIRANË- Vendimi që mori dje Këshilli Drejtues i RadioTelevizionit Shqiptar për të skualifikuar 8 nga 10 kandidatët për drejtuesin e radhës të RTSH-së. "Spastrimi" i kandidatëve ka sjellë reagime dhe kritika, madje si rrallë herë ka bërë bashkë edhe politikën, në këtë rast maxhorancën dhe opozitën.

Por çfarë ndodhi dje?

Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar u mblodh të hënën në mesditë dhe zhvilloi një votim të fshehtë për të gjithë kandidatët që kishin dorëzuar dokumentacionin e tyre. Pas votimit, në garë mbetën vetëm drejtoresha e komanduar pas dorëheqjes së Alfred Pezës, Aurora Polo dhe drejtori i RTSH-së në Shkodër, Jetmir Shpuza. Të gjithë të tjerët u skualifikuan! Por pikërisht ky votim u krye në mënyrën e gabuar. Në mbledhje, në kundërshtim me ligjin për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, anëtarët e Këshillit kryen një votim pa diskutuar kriteret që plotësonin, ose jo, kandidatët që po merrnin pjesë. Një tjetër problem ka lidhje me faktin që njëri nga anëtarët nuk ishte fare i pranishëm në mbledhje. Ai e ka votuar nga Vietnami, duke thyer rregullin kyç, atë të votimit të fshehtë.

Në këto kushte, Kryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa ka bërë një reagim në rrjetet e saj sociale, duke ironizuar se Këshilli Drejtues i RTSH po ‘shpik’ rregulla duke përjashtuar nga gara kandidatët. Duke theksuar faktin se në mbledhjen e shkuar ishte shkelur ligji, duke sqaruar se rregullorja njeh të drejtën e zgjedhjes me votë të fituesit, jo të skualifikimit të kandidatëve. 

Çmenduria e Këshillit Drejtues së RTSH, skualifikon nga gara kandidatët që plotësojnë kriteret! Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidat që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin.Nuk ekziston në ligj votim për tu futur apo jo në votim!!! Thjesht garë dhe votim për të zgjedhur drejtorin mes atyre që plotësojnë kriteret ligjore! Ku e kanë gjetur në ligj metodën e skualifikimit kur plotëson kriteret ligjore? Skualifikimi është kur nuk plotëson kriteret, ndryshe je në garë. Me vendim antiligjor skualifikohen: Laureta Roshi; Kliton Rama; Floriana Paskali; Eni Vasili; Harilla Koçi; Enrik Mehmeti; Flamur Buçpapaj dhe Ermal Hoxha. Të 8 duhet të jenë në garë sipas ligjit bashkë me dyshen Polo- Shpuza që kaluan “votimin”. Çdo anëtar i Këshillit në të drejtën e vet mund të votojë një kandidat kë preferon sipas platformës dhe aftësive por s’ka asnjë të drejtë skualifikuese nga gara kur plotësohen kriteret ligjore. Thjesht mos e voto për drejtor! Ligji i njeh të drejtën e zgjedhjes me votë të fituesit, jo të skualifikimit me votë të atyre që plotësojnë kriteret ligjore. Fjala bie, si mund të skualifikosh nga gara Eni Vasilin? Çfarë kriteri ligjor nuk plotëson? Marr Enin se është figurë më e njohur publike por secili nga 8 të skualifikuarit vlen e njëjta logjikë. Nëse rryma brenda Këshillit kanë frikë nga vota e fshehtë gjatë garës dhe nxjerrin metoda skualifikuese extraligjore ky është problem serioz për garën dhe ligjshmërinë e RTSH,”- shkruan Zhupa.

Të njëjtën dakordësi ka ndarë edhe nënkryetarja e Komisionit për Mediat dhe deputetja socialiste, Evis Kushi, e cila po ashtu kërkon me ngulm që Këshillit Drejtues i RTSH të rikthejë situatën në normalitet. Ndryshe, shton ajo, do të duhet që të ndërhyjë Kuvendi i Shqipërisë.

“Nuk ndodh shpesh të jem dakord me kolegen Ina Zhupa, por pasi jam njohur me zhvillimet në RTSH nuk i heq dot asnjë presje reagimit të saj. I bëj thirrje Këshillit Drejtues të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. E kundërta do të ishte vetëasgjësim i Këshillit dhe Parlamenti do të detyrohej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës, duke marrë masa drastike që ne nuk i dëshirojmë,”- shkruan Kushi.

Lidhur me votimin ka ardhur një reagim edhe nga rrjeti “Safe Journalist”, i cili gjithashtu shprehu shqetësim të hapur për procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së. Ata vënë në dyshim procedurën ku kandidatët nuk u dëgjuan për platformat e tyre por u skualifikuan nga Këshilli, duke mos iu dhënë e drejta e caktuar me ligj.

Reagimi i plotë i “SafeJournalist”:

“Më 6 janar 2025, Këshilli Drejtues i RTSH (Radio Televizioni Shqiptar – transmetuesi publik) shpalli hapjen e konkursit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH). Afati i aplikimit u caktua më 20 janar 2025. Më 27 janar 2025, Këshilli Drejtues zhvilloi fazën e parë të procesit të përzgjedhjes. Sipas vendimit nr.5 të Këshillit Drejtues, datë 27.01.2025, Këshilli votoi dhe përzgjodhi vetëm dy kandidatë për të vijuar procesin dëgjimor, ndërsa skualifikoi me votim tre të tjerë. Deklaratat e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe organizatat e medias sugjerojnë se ishin tetë kandidatë që plotësonin kriteret ligjore, megjithatë Këshilli votoi për pesë dhe lejoi vetëm dy të avanconin, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe drejtësinë. Për më tepër, numri i aplikantëve në total dhe sa prej tyre nuk plotësonin kriteret ligjore dhe arsyet e skualifikimit mbeten të paqarta, duke reflektuar mungesën e transparencës së Këshillit Drejtues në këtë proces kritik.

Rrjeti SafeJournalists është thellësisht i shqetësuar për parregullsitë procedurale që minojnë parimet e përzgjedhjes së bazuar në merita dhe llogaridhënies publike. Sipas nenit 11 të Statutit të RTSH-së, të gjithë kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore të pranueshmërisë duhet t’u jepet mundësia të paraqesin platformat, përvojën dhe vizionin e tyre gjatë një seance dëgjimore, duke siguruar një vlerësim të drejtë dhe të plotë përpara se të skualifikohen. Megjithatë, vendimi i Këshillit Drejtues për skualifikimin e kandidatëve përpara fazës së dëgjimit bie ndesh me këto dispozita ligjore dhe shkel parimet e transparencës dhe drejtësisë.

Gjithashtu, neni 104 i Ligjit për Mediat Audiovizive (Nr. 97/2013, i ndryshuar) thotë se një kandidat mund të skualifikohet vetëm nëse nuk plotëson kriteret specifike ligjore, si përvoja, kualifikimet drejtuese ose konflikti i interesit. Raportet që tregojnë se të tetë kandidatët plotësuan këto kritere dhe e bëjnë vendimin e Këshillit Drejtues për të kufizuar pjesëmarrjen shumë të diskutueshëm. Po ashtu, mungesa e një shpjegimi të qartë dhe publik mbi skualifikimet ngre dyshime për integritetin e procesit. Një tjetër çështje kritike është shkelja e procedurave të votimit të fshehtë, të cilat kërkohen sipas nenit 102 të Ligjit për Mediat Audiovizive. Këshilli Drejtues duhet të votoj nëpërmjet votimit anonim dhe të fshehtë, për të garantuar drejtësi dhe pavarësi. Çdo devijim nga ky proces, përfshirë raportet për votim në distancë, rrezikon legjitimitetin e vendimeve të Këshillit dhe gërryen më tej besimin e publikut ndaj RTSH-së si një institucion i pavarur. I bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë, në cilësinë e tij mbikëqyrëse, të kërkojë shpjegim të plotë nga Këshilli Drejtues i RTSH-së lidhur me parregullsitë procedurale dhe mungesën e transparencës në procesin e përzgjedhjes. Parlamenti duhet të sigurojë që Këshilli Drejtues të jetë në përputhje me kuadrin ligjor, veçanërisht me parimet e transparencës, drejtësisë dhe respektimit të normave demokratike në qeverisjen e transmetuesit publik.

Votimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, u krye pa diskutuar mbi kriteret që plotëson ose jo secili kandidat. Madje, u njoftua se të premten, më 31 janar, do të mbahej faza dëgjimore për vetëm dy nga kandidatët Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo.

5 muaj nga dorëheqja e Alfred Pezës, Radio Televizioni Shqiptar ende nuk e ka një drejtues. Që nga largimi i Pezës, drejtoreshë e komanduar e Radio Televizionit Shqiptar u vendos Aurora Polo. Me hapjen e garës, secili nga kandidatët do t’u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve, por kjo nuk ka ndodhur. Nëse në tre raundet e para, nuk arrihet zgjedhja e tij me shumicë absolute, në raundin e katërt, ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Në rastet kur as kjo nuk arrihet, atëherë Këshilli Drejtues i RTSH-­së do të duhet të shpërndahet, një formulë kjo që përdoret edhe me Parlamentin kur nuk arrin të zgjedhë dot Presidentin./ZËRI

Poll

MOS HUMB