
TIRANË- Pas padisë së Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit të Akademisë së Shkencave, Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e ligjshmërisë së tij. Në seancën e parë plenare, deputetja demokrate Ina Zhupa parashtroi kërkesat përse ky ligj duhet shfuqizuar. Zhupa nënvizoi se ligji ka disa shkelje duke filluar që nga shkelja e parimit të barazisë për anëtarët e akademisë, e deri te procedurat e votimit në Kuvend.
Në momentin kur ky ligj u miratua, demokratët pretenduan se ky është krijuar për Skënder Gjinushin, pasi atij si kryetar i Akademisë i lejohet të rikandidojë për një mandat të dytë, ndërsa anëtarëve 75 vjeçar nuk u lejohet një gjë e tillë.
Ndërsa mazhoranca mbajti një qëndrim të kundërt në seancën parlamentare. Pas kësaj, Gjykata Kushtetuese do të vendosë në seancat e ardhshme nëse ligji shkel Kushtetutën, apo është në ligjshmëri të plotë. Ishte Partia Demokratike ajo që depozitoi padinë për ligjin për Akademinë e Shkencave në Gjykatën Kushtetuese. Padia u dorëzua nga deputetja Ina Zhupa, e cila u shpreh se në ligj janë evidentuar shkelje proceduriale dhe përmbajtjesore, që sipas saj garantojnë “vetëm futjen e hundës së politikës në Akademinë e Shkencave”. /ZËRI