
TIRANË- Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar zhvilloi sot procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Në mbledhjen e sotme të anëtarëve të Këshillit Drejtues, u votua për kandidatët. Me votim të fshehtë u zgjodhën dy kandidatët finalë nga 7 emrat që dorëzuan dokumentacionin e tyre. Më shumë vota nga të gjithë kandidatët kanë marrë Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo. Kjo e fundit është drejtoresha e komanduar në detyrë pas dorëheqjes së Alfred Pezës. Të tjerët janë përjashtuar nga gara.
Votimi në mbledhjen e Këshillit Drejtues të RTSH
- Klinton Rama, 4 vota pro, 5 vota kundër;
- Jetmir Shpuza, 7 vota pro, 2 vota kundër;
- Ermal Hoxha, 3 vota pro, 6 vota kundër;
- Eni Vasili, 4 vota pro, 5 vota kundër;
- Aurora Polo, 7 vota pro, 2 vota kundër
- Një votë e pavlefshme
5 muaj nga dorëheqja e Alfred Pezës, Radio Televizioni Shqiptar ende nuk e ka një drejtues. Që nga largimi i Pezës, drejtoreshë e komanduar e Radio Televizionit Shqiptar u vendos Aurora Polo. Tashmë, me hapjen e garës dhe votimin e fshehtë, do të bëhet prezantimi i platformave të kandidatëve. Seanca dëgjimore me 2 kandidatëve do të zhvillohet të premten në orën 10:00. Gjithashtu secili nga kandidatët do t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve. Pas dëgjesës së kandidatëve anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH do të zhvillojnë sërish votim të fshehtë për të zgjedhur më pas drejtuesin e ri të Përgjithshëm të RTSH-së.
Nëse në tre raundet e para, nuk arrihet zgjedhja e tij me shumicë absolute, në raundin e katërt, ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Në rastet kur as kjo nuk arrihet, atëherë Këshilli Drejtues i RTSH-së do të duhet të shpërndahet, një formulë kjo që përdoret edhe me Parlamentin kur nuk arrin të zgjedhë dot Presidentin./ZËRI