Politikë

“Jam fyer nga Dado” Veliaj reagon sërish nga burgu: Ajo seancë ishte përgatitur për të më vrarë politikisht

Më tej, kryebashkiaku e konsideron dosjen ndaj tij të stisur dhe seanca gjyqësore ishte një kasaphanë për ta “vrarë” atë politikisht.

I.F
“Jam fyer nga Dado” Veliaj reagon sërish nga burgu: Ajo
Erion Veliaj

TIRANë- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish duke mbrojtur deklaratën e tij. Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se gjatë seancës gjyqësore, ai është fyer, sulmuar dhe kërcënuar nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Ols Dado. Më tej, kryebashkiaku e konsideron dosjen ndaj tij të stisur dhe seanca gjyqësore ishte një kasaphanë për ta “vrarë” atë politikisht.

Postimi i Plotë:

Mirëmbrëma,

Siç e dini, prej dy javësh unë ndodhem i mbyllur në qeli pa gjyq dhe i dënuar që në faqen e parë të një dosjeje, të cilën po e faktoj çdo ditë se është një montim i shëmtuar dhe farsë e rrezikshme.

Por, gjithashtu, ndodhem në kushte të pabarabarta për të thënë të vërtetën time, atë të vërtetë të cilën do ta mbroj deri në fund dhe do të vazhdoj ta them së paku këtu, në rrjetet e mia sociale, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët e Tiranës dhe gjithë publikun.

Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.

Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë.

Ama, unë do të vijoj të çmontoj atë dosje të stisur kundër meje çdo ditë, pak nga pak, siç kam bërë deri më sot.

Gjatë ditës së sotme kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj publikoi transkriptin e seancës gjyqësore ndaj tij, ku hodhi akuza se prokurori i çështjes Ols Dado e ofendoi. Në postimin e tij, Veliaj tha se Dado e quajti atë “ndyrësirë” dhe “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”.

Menjëherë pas kësaj reagoi Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku i hodhën poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk janë të vërteta.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB