Politikë

E kërkoi në interpelancë për 'Becchetin', Rama: Pres SPAK, nëse im vëlla del trafikant s'jam më kryeministër! Bardhi: Po bën shantazh!

Numri një i qeverisë premtoi se do t'i përgjigjej në çdo interpelancë që do të kërkonte Bardhi, vetëm pas përfundimit të hetimeve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me çështjen për të cilën demokrati ka dhënë indicie.

k.m.
E kërkoi në interpelancë për 'Becchetin', Rama:
Edi Rama dhe Gazment Bardhi


TIRANË-
Tensionet dhe kërkesa për një interpelancë me kryeministrin Edi Rama kanë shoqëruar gjithë zhvillimet e Kuvendit në seancën e sotme plenare. Disa herë, duke ndërprerë punimet, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen "Becchetti". Por përgjigjen e mori nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila e njoftoi se kreu i qeverisë kishte një axhendë që po ndiqte për çështjen e sigurisë në shkolla dhe konsultimet me prindërit për kufizimin e rrjeteve sociale. Edhe pse jo në sallë, Rama duket se u informua për zhvillimet dhe i bëri një koment në rrjetin e tij social "X". Duke iu drejtuar Bardhit, Rama theksoi edhe njëherë duke theksuar se vendi nuk ka humbur asnjë gjyq.

"Megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?!"

Pasi sqaroi çështjen me gjyqin, Rama u foksua tek gjyqi brenda vendit. Numri një i qeverisë premtoi se do t'i përgjigjej në çdo interpelancë që do të kërkonte Bardhi, vetëm pas përfundimit të hetimeve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me çështjen për të cilën demokrati ka dhënë indicie. Bëhet fjalë për çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë. 

Rama thotë se po pret vendimin e SPAK, i cili do t'i lërë dy zgjedhje: tërheqjen nga politika, ose përballjen me Bardhin në Kuvend!

"Unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!,"-shkruan Rama ndër të tjera. 

Kësaj here, reagimi i Bardhit ka ardhur disa orë më vonë nga sa ndodh zakonisht. Sipas demokratit, statusi i Ramës ishte nëj mesazh për SPAK që të mbyllte dosjen e Xibrakës. 

"Zbulimi deri në fund i të vërtetës, i rrezikon Edi Ramës karrigen e Kryeministrit, sepse ai do të detyrohej të largohej nga politika! Mesazhi i pastër kriminal e shantazhues ndaj SPAK nuk mund të përcillet kurrë duke bërë gjoja replikë publike me mua dhe as nuk mund të fshihet duke u përfshirë unë në një replikë pa sens e jashtë kohe, të sajuar nga hiçi dhe me shkaqe të inskenuara. Pse ka frikë Edi Rama nga hetimi, dhe kërkon mbylljen e shpejtë të çështjes, përpara se të humbi zgjedhjet e Majit 2025?"

REAGIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA

Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, të cilat sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës! Këto “100 e ca milionët” ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Madje prodhuan edhe ca fletushka bakalli, që ua vinin njerëzve në xhamat e makinave, ku bënin thirrje për të votuar kundër meje dhe Partisë Socialiste për inat të “100 e ca milionë Eurove” të humbura për shkakun tim. Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike. Po pyetja sot është: A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumenta shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?! Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë. Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë! Tani këta katranë me bojë dinë vetëm të shpifin, pastaj shpifjen ta përhapin në kanalet e ujrave të tyre të zeza mediatike dhe pastaj të kërkojnë komisione hetimore e intepelanca, për të kërkuar llogari nga ne për shpifjet e tyre! Mirëpo kjo lojë nuk ecën dot fare me ne dhe gjykata e llogarive tona e të tyre do të na dëgjojë e do të na japë hakun në pranverë, kur populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve këtë herë, do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë e me kismet, të mësojë se si mund të qeverisë në të ardhmen. Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë. Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Në përgjigje të interesit të medias lidhur me një qëndrim të Edi Ramës sot ndaj meje, ju bëj me dije sa më poshtë: Nuk kam reaguar ndaj qëndrimit të Edi Ramës, sepse qartësisht qëndrimi i tij gjoja më drejtohej mua, por në të vërtetë ishte një mesazh i qartë dhe i pastër shantazhi ndaj SPAK që të mbyll hetimet ndaj Olsi Ramës dhe Dosjes “Xibraka”, sepse vijimi i hetimeve dhe zbulimi deri në fund i të vërtetës, i rrezikon Edi Ramës karrigen e Kryeministrit, sepse ai do të detyrohej të largohej nga politika! Mesazhi i pastër kriminal e shantazhues ndaj SPAK nuk mund të përcillet kurrë duke bërë gjoja replikë publike me mua dhe as nuk mund të fshihet duke u përfshirë unë në një replikë pa sens e jashtë kohe, të sajuar nga hiçi dhe me shkaqe të inskenuara. A nuk ishte po ky Edi Rama që hyri me sy, por doli me faqe të zezë, përpara disa muajve kur ishte në interpelancë për mbetjet toksike me denoncuesin e Olsit, pra me mua, me të njëjtin? Pse atëherë mendonte se kishte edhe sy edhe faqe për të ardhur në interpelancë, ndërsa sot ka humbur sytë dhe faqen? Asokohe nuk ishte “kusht mbi Kushtetutën” as vëllai Ols dhe as përfundimi i hetimeve ndaj vëllait Ols nga SPAK. Vallë çfarë ndryshoi sot? Pse u kujtua beftë për vëlla Olsin dhe SPAK-un? Pse u kujtua që i rrezikohet pushteti nëse vijojnë hetimet e zbulohet e vërteta që u tentua të varrosej në 2018? Çfarë e pickoi sot Edi Ramën për këtë çështje? Pse ka frikë Edi Rama nga hetimi, dhe kërkon mbylljen e shpejtë të çështjes, përpara se të humbi zgjedhjet e Majit 2025?

E di që Edi Rama nuk e ka për gjë të grisë Kushtetutën dhe Ligjin për pushtetin e tij personal. E di shumë mirë që do të gjejë çdo justifikim për të mos u përballur në Parlament me krimin e vjedhjes që u ka bërë shqiptarëve. E di shumë mirë që edhe mesazhet politike i jep sipas stilit mafioz. E di që po bën çmos të shantazhojë edhe SPAK-un që t’i mbyllë hetimet për Olsin dhe kokainën e Xibrakës. Ajo që s’kisha parashikuar ishte që të fshihej pas të vëllait të vogël për të mos ardhur në Parlament. Të keqpërdorësh familjen për të mos dhënë llogari para shqiptarëve, do të thotë të jesh në pozicion shumë të sikletshëm. Dhe e kuptoj që fshihet pas Olsit! Sa më shumë zbardhen kodet pin në SKY/ECC, por shumë shpejt edhe këto të rejat në MATRIX, aq më shumë do të fshihet Edi Rama! Le të fshihet në rrjetet sociale sa të dojë, të bëjë teatër sa të dojë, të inskenojë reagime nga hiçi për të përcjellë mesazhe publike kriminale për SPAK sa të dojë, e sigurojë se, me SPAK apo pa SPAK, largimin nga politika do ta ketë me turp, të shpejtë, dhe ashtu siç e meriton një frikacak që i fshihet Kuvendit, një bashkëpunëtor i bandave që ka torturuar, vjedhur e varfëruar bashkëqytetarët e tij.

SPAK vendosi që të rihapë hetimet për dosjen Xibraka, pas denoncimit të Bardhit, se një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale. Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër. Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi. Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014./ZËRI

Poll

MOS HUMB