
TIRANË-Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me një postim në rrjetin social "X" kërkesës së kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhit për interpelancë. Deputeti demokrat kërkoi gjatë seancës së Kuvendit interpelancë me Ramën për çështjen e Francesko Becchetit dhe gjobës 110 milionë eurot dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit në Belgjikë. Në kërkesën e depozituar në Kuvend nga Gazment Bardhi, kërkohet më shumë informacion nga kreu i qeverisë, pasi sipas tyre nuk ka pasur asnjë sqarim lidhur me çfarë ka ndodhur deri më tani.
"Ne kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për pagesën 110 milionë euro të shtetit shqiptar, për biznesmenin italian Francesco Becchetti. Pse nuk është përfshirë në rend dite dhe do duhet të ndërprisni seancën dhe të thërrisni kryeministrin. Çështja është madhore për interesin publik. E vërteta është se ai ka marrë më shumë se fondi që keni planifikuar për bonusin e pensionistëve,"-u shpreh Bardhi.
Në replikën e tij, Rama ka deklaruar se do t’i shkojë Bardhit në interpelancë pasi të dalin përfundimet e hetimeve nga SPAK, për trafikun e drogës, ku akuzohet vëllai i kryeministrit. Ai thekson se nëse vëllai i tij del trafikant nuk do të jetë më kryeministër dhe as person publik.
"Unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë. Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!,"-shkruan Rama në postin e tij.
Ndërkohë sa i përket çështjes së Becchetti, kreu i qeverisë thotë se opozita e rikthen dosjen sa herë afrojnë zgjedhjet parlamentare, por përgjigjen ia kanë dhënë në zgjedhjet e fundit qytetarët shqiptarë.
"Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, se sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës!,"-thuhet në postim.
Reagimi i plotë:
Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, të cilat sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës! Këto “100 e ca milionët” ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Madje prodhuan edhe ca fletushka bakalli, që ua vinin njerëzve në xhamat e makinave, ku bënin thirrje për të votuar kundër meje dhe Partisë Socialiste për inat të “100 e ca milionë Eurove” të humbura për shkakun tim. Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike. Po pyetja sot është: A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumenta shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?! Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë. Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë! Tani këta katranë me bojë dinë vetëm të shpifin, pastaj shpifjen ta përhapin në kanalet e ujrave të tyre të zeza mediatike dhe pastaj të kërkojnë komisione hetimore e intepelanca, për të kërkuar llogari nga ne për shpifjet e tyre! Mirëpo kjo lojë nuk ecën dot fare me ne dhe gjykata e llogarive tona e të tyre do të na dëgjojë e do të na japë hakun në pranverë, kur populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve këtë herë, do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë e me kismet, të mësojë se si mund të qeverisë në të ardhmen. Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë. Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!
SPAK vendosi që të rihapë hetimet për dosjen Xibraka, pas denoncimit të Bardhit, se një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale. Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër. Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014./ZËRI