Politikë

Dyshimet për plagjiaturë, deputeti i PD-së kërkon dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë Klodiana Spahiu: Të publikojë...

Sipas materialit të bërë publik, pretendohet përdorimi i pjesëve, metodologjisë, rezultateve dhe të dhënave të studimeve të huaja në një punim që lidhet me pacientë të Spitalit të Durrësit.

zh.ll
Dyshimet për plagjiaturë, deputeti i PD-së kërkon
bardh spahia-klodiana spahiu

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, pas dyshimeve për plagjiaturë në një punim shkencor të vitit 2018.

Këtë të mërkurë, në një deklaratë publike, Spahia i është referuar një investigimi të emisionit “Piranjat”, duke ngritur dyshime serioze për plagjiaturë në një punim shkencor të ministres. Sipas materialit të bërë publik, pretendohet përdorimi i pjesëve, metodologjisë, rezultateve dhe të dhënave të studimeve të huaja në një punim që lidhet me pacientë të Spitalit të Durrësit.

Spahia i ka kërkuar ministres të bëjë transparencë të plotë dhe të publikojë punimin integral, të dhënat klinike dhe dokumentacionin mbi të cilin janë bazuar rezultatet.

Deklarata e plotë e Spahia:

Në vetëm dy javë në detyrë, Ministrja e Shëndetësisë, znj. Klodiana Spahiu, gjendet përpara një tjetër skandali. Kësaj here nuk kemi të bëjmë me një tender qindra-milionësh, një koncesion apo një emërim për llogari të Kryeministrit Rama.

Kësaj here, çështja prek drejtpërdrejt integritetin profesional dhe akademik të vetë Ministres së Shëndetësisë.

Investigimi i publikuar nga emisioni “Piranjat” ngre dyshime serioze për plagjiaturë në një punim shkencor të Klodiana Spahiut të vitit
2018.

Sipas materialit të bërë publik, nuk pretendohet vetëm kopjimi fjalë për fjalë i pjesëve të studimeve të huaja, por edhe përdorimi i metodologjisë, rezultateve dhe të dhënave të studimeve të kryera mbi pacientë jashtë Shqipërisë, të paraqitura në kontekstin e një studimi mbi pacientët e Spitalit të Durrësit.

Këto pretendime përbëjnë një çështje serioze që kërkon verifikim lidhur me integritetin shkencor dhe përgjegjësinë publike të një ministreje, mjekeje, pedagogeje dhe deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë.

Prandaj, znj. Spahiu duhet të dalë menjëherë përpara publikut dhe të bëjë transparencë të plotë.

Zonja Ministre, a është ky punim shkencor autentikisht i juaji? A janë pacientët dhe të dhënat klinike të paraqitura rezultat i studimit tuaj? Nëse po, duhet të publikoni të dhënat dhe dokumentacionin që e provojnë.

Si mund t’u kërkojë pacientëve shqiptarë të kenë besim në sistemin shëndetësor një ministre, kur mbi të rëndojnë dyshime serioze për plagjiaturë në një studim shkencor?

Si mund të pretendojë se do të ndërtojë politika shëndetësore mbi shkencën dhe profesionalizmin, kur sot duhet të sqarojë nëse vetë puna shkencore që ka paraqitur është autentike apo plagjiaturë?

Si mund të pretendojë se do të luftojë korrupsionin në shëndetësi, kur nuk sqaron dot dyshimin se ka marrë punën shkencore të të tjerëve dhe e ka paraqitur si të vetën?

Dhe si mundet një pedagoge të ketë hyrë për vite me radhë në auditorët e universiteteve shqiptare për t’u mësuar studentëve mjekësi dhe shkencë, nëse provohet se vetë ka shkelur një nga parimet më elementare akademike? Plagjiatura nuk është shkencë, por mashtrim.

Klodiana Spahiu duhet t’i përgjigjet interesit të opinionit publik. Duhet të publikojë punimin integral, të dhënat shkencore dhe dokumentacionin mbi të cilin janë mbështetur rezultatet e tij.

Por kjo mund të mos jetë vetëm çështje etike dhe akademike. Nëse verifikimi konstaton elementet e parashikuara nga neni 148 i Kodit Penal, “Botimi i veprës së  tjetrit me emrin e vet”, i cili parashikon një dënim nga gjoba deri në dy vite burg, çështja duhet t’u nënshtrohet edhe organeve kompetente të drejtësisë.

Znj. Spahiu nuk duhet të fshihet pas postit të ministres. Nëse nuk mund t’i rrëzojë me prova faktet e publikuara, minimumi i përgjegjësisë është të japë dorëheqjen dhe t’u nënshtrohet institucioneve kompetente, si çdo qytetar tjetër.

Në Europë, ministra kanë dhënë dorëheqjen për çështje të integritetit akademik, siç ishte rasti i ministrit gjerman të Mbrojtjes pas skandalit të plagjiaturës. Znj. Spahiu, dorëheqja është akti i parë i përgjegjësisë politike, por nuk e mbyll këtë çështje. 

Klodiana Spahiu u emërua në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, pas dorëheqjen së Evis Sala, më datë 2 shtator. Më datë 8 shtator, presidenti Bajram Begaj dekretoi emërimin e Spahiut, ndërsa më pas u votua në Kuvend me 79 vota pro./ZËRI

Poll

MOS HUMB