Politikë

"Ka rënë shteti...siguresa"/ Debate te 'Ligjet' për masën e Hysenit, Manja: Veprimtari normale, Korreshi: Ore ku është Bajromi (VIDEO)

 "Rënie të shtetit", e ka konsideruar opozita, ndërsa debatet kanë vijuar mes palëve. 

zh.ll
"Ka rënë shteti...siguresa"/ Debate te 'Ligjet'
foto ilustrim: ulsi manja-saimir korreshi dhe vlora hyseni

TIRANË- Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra ndaj drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, kanë sjellë debate në Komisionin e Ligjeve, ku do të diskutohet Reforma Territoriale. "Rënie të shtetit", e ka konsideruar opozita, ndërsa debatet kanë vijuar mes palëve. 

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e cilësoi situatën si një çështje që duhet të jetë në qendër të diskutimeve të Kuvendit. Nga ana tjetër, kreu i Komisionit, Ulsi Manja, e cilësoi situatën si “veprimtari normale të institucioneve në një shtet demokratik”.

Ndërkohë, deputeti Blushi deklaroi se Komisioni i Ligjeve duhet të ketë si prioritet respektimin e ligjit dhe Kushtetutës. Sipas Blushit, 'nuk ka prioritet më të madh për një Komision Ligjesh sesa të mbajë një qëndrim lidhur me një çështje e cila cenon kushtetutën dhe sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO'. Ndërsa deputeti demokrat Saimir Korreshi ironizoi mungesën e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.


Pjesë nga debati:

Oerd Bylykbashi: Rend dite sot, në çdo komision, në seance plenare, është skandali i djeshëm. Kjo reforma që i sillni shqiptarëve për t’ia nxirë jetën shqiptarëve, ka për sfond skandalin e djeshëm kreu i shish që arrestohet nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar. Ky shtet është i krimbur nga koka te këmbët, ky kuvend diskuton për seksin e engjëjve. Flet për gjërat që do t’ia bëjnë më keq jetën. Ky Kuvend duhet të mblidhet sot. Si ka mundësi që krimi i organizuar të jetë penetruar te SHISH, AKSHI, kadastra, ministritë, sistemi i prokurimit,. Një shtet i rënë. Se mos ia vini fajin vetëm drejtoresha po Agasit, është kryeministri. Ajo është një lungë e sistemit që është i infektuar në të gjitha qelizat e veta, me një emër infeksioni, Edi Rama.

Manja: Unë mendoj që ne të ecim me rendin e ditës. Sepse nuk mendoj që ka projektligj më të rëndësishëm për komisionin tonë sesa ky i sotmi dhe nuk duhet kurrsesi që ne të ulim vlerën e kësaj mbledhje dhe këtij institucioni me veprimtarinë normale të institucioneve në një shtet demokratik. Kështu që nëse ka për procedure sugjerime për rendin e ditës, mund ta merrni fjalën, por ama, duke i qëndruar rendit.

Korreshi: Mendova se kishte ardhur Bajromi për të mbledhur Këshillin e Sigurisë, se ka rënë shteti ka rënë siguresat gjithë. Ne vazhdojmë sikur këtu s’ka ndodhur asgjë, do bëjmë koperativa të tipit lart, apo të mesëm, të tipt bujqësor. Ky kuvend a ka ndonjëherë prioritete, kur bie siguria kombëtare. Sot kush e ruan shtetin tonë. Bajram Begaj dini gjë ku është.

Blushi: Prioritetet në komisionin e ligjeve duhet të jenë respektimi i ligjit dhe kushtetutës. Ky komision është përgjegjës për ti garantuar këto. Jemi në kushtet kur arkitektura e shtetit ka rënë, ku siguria kombëtare ka rënë, s’besoj se ka prioritet më të madh për një Komision Ligjesh sesa të mbajë një qëndrim lidhur me një çështje e cila cenon kushtetutën dhe sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO. Sot Shqipëria është pa SHISH, se u faktua që ky shërbim kontrollohej nga krimi, mafia. Është pa polici shteti, se policia është dorëzuar në duart e krimit. Pa ministri mbrojtje, se është dorëzuar në duart e mafies. Edhe pa këshill të sigurimit kombëtar se anëtarët janë përfaqësues të mafies. Në këto kushte s’besoj të ketë prioritet më të madh për këtë komision se mbajtja e një qëndrimi për rikthimin e ligjshmërisë mbrojtjes së republikës se sa një projektligj që forcon axhendën shpopulluese.

Debati vjen një ditë pas publikimit të masës së sigurisë ndaj Vlorës Hyseni, e cila është pezulluar edhe nga ushtrimi i detyrës. 

Gjykata e Posaçme caktoi sot ndaj Vlora Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimin nga detyra si drejtoreshë e SHISH, në kuadër të procedimit penal të SPAK-ut, që lidhet me hetimet për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ajo akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Dyshimet janë se Hyseni ka informuar Agasin për lëvizjet e Policisë gjatë kohës që ai ishte në arrati. Lidhur më këtë, janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të klasifikuara sekrete të SHISH gjatë kontrolleve në banesën e Agasit dhe ish-efektivit Uljan Shpatarakut. Madje, dyshohet se Hyseni mund t'i këtë vënë në dispozion Agasit edhe automjetet e saj për të lëvizur teksa ndodhej në arrati.

Kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra si drejtuese se SHISH, teksa pak më vonë vendimi u dekretua edhe nga Presidenti i vendit, Bajram Begaj. Gjatë njoftimit të masës, mësohet se Hyseni ndodhej në Kosovë, pasi ishte kthyer nga vizita në Baku të Azerbajxhanit. Disa orë më pas, ajo u ndalua në pikën kufitare të Morinës në Kukës, ku është marrë nga autoritetet shqiptare./ZËRI

Poll

MOS HUMB