TIRANË- Ishte prilli i vitit 2023 ai që do të sillte në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit Vlora Hysenin, pas dekretimit nga presidenti Bajram Begajn dhe propozimit nga kryeministri Edi Rama. Para dekretimit të Hysenit, Rama zhvilloi një takim kokë më kokë në Presidencë me Bajram Begajn, i cili në atë kohë kishte dëmtuar dhe dorën. Takimi i nisur në orën 08;00 të mëngjesit të 17 marsit në presidencë kishte për qëllim konsultimin mes Ramës dhe Begajt për emrin e ri që do të merrte drejtimin e SHISH pas largimit të Helidon Bendos, i cili e la detyrën në dhjetor të vitit 2022.
Një ditë pasi Rama propozoi kreun e ri të SHISH, Yuri Kim postoi në rrjetet sociale një foto me presidentin Bajram Begaj buzë Liqenit Artificial të Tiranës, ku shkruante: “Gjithmonë është nder të kaloj kohë me Presidentin Bajram Begaj, por sidomos për të ecur dhe biseduar së bashku në këtë ditë të bukur pranvere në Tiranë”. Në opinion publik kjo u përceptua si një takim për të biseduar mes dy zyrtarëve të lartë lidhur me dekretimin ose jo të emrit të Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Ajo çfarë ra në sy ishte se Presidenti Bajram Begaj doli në punë me dorën e fashuar, pas ndërhyrjes kirurgjikale pasi kishte dëmtuar tendinën në dorën e djathë për të diskutuar me Ramën lidhur me kreun e ri të këtij institucioni publik. Dekretimi i Hysenit erdhi me 4 prill të vitit 2023, pas vendimit publik nga zyra e Presidencës.
Ndërsa sot operacioni i SPAK çoi në arrestin shtëpiak të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t. Prokuroria e Posaçme e akuzon Hysenin për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Sipas burimeve, bëhet fjalë për disa materiale të klasifikuara sekrete të dala nga Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH).
Materiale të cilat, mësohet se janë gjetur gjatë kontrolleve të bëra pas arrestimit të biznesmenit Ergys Agasi dhe ish zyrtarit të lartë të policisë së Elbasanit, Ulian Shpataraku. Pas ngjarjes ajo u shkarkua nga detyra me urdhër të kryeministrit Edi Rama./ZËRI
