
TIRANË- Kontrolli i Lartë të Shtetit ka shkaktuar përsëri debate mes socialistëve në Komisionin e Ekonomisë. Edhe në këtë takim, debati është zhvilluar mes deputetëve të maxhorancës. Deputetët e Partisë Socialiste, Frrok Gjini, Alban Xhelili e Pranvera Resulaj ishin skeptikë për propozimet e kolegut të tyre, Erion Braçe. Ky i fundit ka kërkuar që audituesit, plani i auditimit dhe koha e kontrollit të institucioneve dhe emrat e audituesve. Për Braçen të gjitha masat do të rrisin transparencën e institucionit dhe do të shpërndajë më mirë punën mes audituesëve.
Po ashtu, dokumenti i miratuar vetëm me votat e mazhorancës i kërkon KLSH-së që të bëjë një raportim mujor me shkrim në formën e “Newsletter” (Gazetë). Por propozimi i Braçes u prit me rezerva nga kolegë të tij socialistë. Kolegia e Braçes, deputetja Pranvera Resulaj tha se nuk ishte e qartë se çfarë duhej bërë publike, pasi periudhat e auditimit dhe audituesit ishin tashmë publike. Madje në mbështetje të saj, kolegu Alban Xhelili tha se në çdo kohë kur auditohet një institucion, plani bëhet publik.
DEBATI I PLOTË NË KOMISION:
Frrok Gjini: E keni kthyer si institucion terrorist
Eslemvera Zake: KLSH të bëjë më shumë transparencë për një auditim dhe të bëjë publike që në nisje të tij planin e auditimit dhe kohëzgjatjen e tij.
Braçe: Ne nuk po kërkojmë që të caktojmë ne audituesit. Kërkesat e bëra janë në përputhje me të drejtat që KLSH ka vetë. Kur caktohen auditues të ketë një praktikë dhe proces, si caktohen këta? Pavarësisht se çfarë ndodh? Nuk mund të jetë një vullnet personal për caktimin e audituesëve. Ajo që po kërkojmë ne është që të ketë një proces, ta ndërojë si të dojë, por puna dhe përgjegjësia të jetë e ndarë. Se me thënë të drejtën mund të shkonim edhe më tutje. Mund të kërkonim edhe thërritje këtu të audituesit. Mund ta bëjmë edhe këtë. Por jo po kërkojmë që vetë ta rregullojnë këtë proces dhe ta bëjnë transparente. Në këtë pikë kërkohet përgjegjësia. Ne akoma nuk kemi një raport për buxhetin faktik. I kemi pasur këtu edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe sillen me KLSH sikur janë padronët e këtij vendi. Mbajnë përgjegjësi për zbatimin e buxhetit. Duhet të përgjigjen deri në një.
Resulaj: Këto janë të publikuara, në faqe të gjitha.
Braçe: Jo nuk ka kështu. Dua publikim të planit të auditimin në një institucion në ditën kur fillon dhe deri kur mbaron, procesin e punës. Do vijë për auditim tek Dogana, dhe unë kërkoj planin e auditimit në këtë institucion dhe kohëzgjatjen.
Resulaj: Për planin e auditimit...është i publikuar.
Braçe: Unë dua audituesin, planin dhe kohëzgjatjen e auditimit.
Shalsi: Gjatë dëgjesave me KLSH-në doli në pah se shumë auditues ishin shumë të angazhuar në auditime, dhe disa të tjerë nuk ishin aq të ngarkuar.
Resulaj: Është menaxhim institucional. Gjithmonë do të ketë ngarkesë, mendoj se më rëndësi ka cilësia.
Shalsi: Po marr një shembull: Nëse ju bashkë me zotin Xhelili do të merrnit të bënit të gjithë relacionet 90%, dhe pjesa tjetër do marrë 10%, çfarë do të thotë kjo. Do të thotë që nuk është menaxhim i saktë. Shikoni se çdo të thotë që një auditues të jetë në shumë raporte, dhe të tjerë jo. E dyta na doli një problem mes asaj që planifikohej dhe realizohej.
Braçe: Nuk mund të ketë barazi, po, por jo propocionalitet.
Xhelili: Kishte një paqartësi lidhur me atë që kërkonte Erioni. Normalisht ata duhet ta publikojnë programin e kontrollit, por duhet të dimë që ata e bëjnë një program kontrolli e paraqesin në institucion bashkë me audituesit. Erioni thotë që këtë që bëjnë, le ta publikojnë. Nuk do të ketë kurrë një ndarje të barabartë mes audituesëve. Ta vazhdojmë tani diskutimin. Kisha dhe një pyetje; gazeta e KLSH për çfarë do të shërbejë?
Gjini: KLSH ka një rregullore se kush i cakon audituesit, ka drejtorë. Ka drejtorë të përgjithshëm...
Braçe: Jo! Nuk ka fare....
Gjini: Doni ta bëni institucionin si pushtet terrorist ju mund të thoni çfarë të doni. Pse ia kërkojmë vetëm KLSH, t'ja kërkojmë të gjithëve! Ka disa institucione që të raportojnë, pse vetëm KLSH?
Braçe: KLSH sipas ligjit të vetë pushtetin e ka të përqëndruar tek kryetari. Pushteti i është dhënë këtij, ai ka pushtetin për auditues, plane auditime etj. Nëse ju mendoni se nga pushteti i kreut të KLSH-së, të shkojmë tek drejtorët, kjo nuk është më KLSH-ja që ka ligji. Ky është një institucion tjetër. Drejtori i Përgjithshëm ka për detyrë që të bëjë punën. Ça organizate terroriste thua?
Resulaj: Ai e ka deleguar me firmë tek drejtori i përgjithshëm...
Braçe: Po nuk mundet pra zonjë, nuk mundet, se drejtori i përgjithshëm ka për detyrë të bëjë punën, dhe jo të marrë përsipër detyrat e kreut të KLSH. Drejtori i Përgjithshëm të mbaj vendin.
Gjini: Ku e vërtetoni ju që kryetari e ka deleguar pushtetin tek drejtori?
Braçe: Zoti kryetar a t’ja them zotit Gjini ca gjëra që di unë jashtë kornizës...?
Shalsi: Brenda kornizës të lutem.
Braçe: Po deshe, mund do të sqaroj zoti Frrok. Mos kthej përgjigje fare.
Gjylameti: Zoti Frroku më dëgjoni, pjesën e gazetës e kemi kërkuar para disa vitesh. E kemi vendosur tek AMF-ja më parë. Në këtë mënyrë gjithsecili futet dhe lexon. Nëpërmjet kësaj kuptojmë se ku jemi dhe merremi me paqartësitë pastaj. Fakti që ngremë zërin nuk më bën të kem më pak argument.
Për shkak të përplasjeve publike që kanë pasur me Arben Shehun, socialistët kanë ngritur dhe një strukture të re parlamentare brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat, që synon kontrollin e verpimtarisë të institucioneve publike, përfshirë KLSH-në. Arben Shehu është zgjedhur prej 5 vitesh në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit me propozim të presidentit të kohës Ilir Meta, pasi 3 kandidatura të tjera të tij ishin rrëzuar nga Kuvendi. Mandati i kreut të KLSH-së është 7-vjeçar, ndërsa Shehu zëvendësoi në këtë institucion Bujar Leskajn, i cili në vitet e fundit ka shërbyer si deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës.
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka një imunitet të ngjashëm me atë të kryetarit të Gjykatës Kushtetese, e për këtë shkak sulmet ndaj Shehut, në këtë moment politik, flasin për një siklet të socialistëve në raport me këtë institucion. KLSH është një prej institucioneve që ka ndihmuar SPAK në nisjen e hetimeve për dhjetra dosje korruptive, si dhe iu drejtohet me rekomandime çdo subjekti që ka pëe detyrë që të garantojë dhe mbrojë financat publike./ZËRI