
TIRANË- Gjykata e Lartë e ka vendosur; Ervin Salianji do të qëndrojë në burg! Në seancën e sotme të zhvilluar në një dhomë këshillimi, e drejtuar nga Sokol Binaj dhe anëtarë Ilir Panda dhe Sandër Simoni, u vendos që të lihej në fuqi vendimi i marrë nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Arsyetimi i plotë i treshes gjykuese ende nuk është zbardhur i plotë, por pas vendimit, Gjykata e Lartë ka dalë me një njoftim të shkurtër.
"Mospranimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Ervin Salianji, për Pezullimin e vendimit nr. 2900 datë 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë",- njofton Gjykata.
Pas publikimit të vendimit nga Gjykata e Lartë, menjëherë ka reaguar edhe ish-deputeti i dënuar. Ai e ka cilësuar veten e tij si një njeri të lirë edhe pse i burgosur. Sipas Salianjit, dënimi i tij pa ligj dhe pafuqia e institucioneve rrit reagimin e njerëzve të ndershëm.
Në mbyllje ka akuzuar edhe njëherë kryeministrin Edi Rama se ka ndihmuar ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafajn në trafikun e drogës dhe e mbron me gjykatën që ka nën kontroll.
Reagimi i plotë:
Ndonëse i burgosur, i kufizuar i privuar, e me një mandat me shumë mund të fituar, e që e shoh të trafikuar; përballë vetes e jush, jam njeri i lirë. Po, jam njeriu më i lirë, më i lirë se ca shërbëtorë, them atë që mendoj e vendos mbi atë që besoj! Nuk shitem, nuk blihem, nuk trysnohem e as lëshohem nga padrejtësia, e prapë qëndroj e mbroj interesin publik. Përtej kostove, sakrificave, politikën atë çfarë kam bërë e bej , e kam zgjedhje dhe mision. E di shumë mirë, që shumë shqiptarë vuajnë padrejtësitë njësoj e ndoshta më keq çdo ditë. Shumë shqiptare e prekin persekutimin nga padrejtesia, e varfërinë nga pamundesia, qe ja vjedh ja dhunon Edi Rama vete, dora e tij e shtrire si zgjatime sherbetoresh, kudo. Nuk di nëse kam më shumë keqardhje apo më shume përbuzje për shërbëtorët, që përthyejne shpinën në përkulje ndaj pushtetit, jo thjeshtë të korruptuar por kriminal. Banda që vendosin për njerëz me diploma! Të Pengmarrë në integritetin e tyre profesional, i nënshtrohen urdhërit arbitrar që vjen direkt nga skutat e krimit. Jam i qartë edhe më shumë që dënimi pa ligj e pafuqia e çdo institucioni të pushtetit, veçse i hap shikimin e rrit reagimin njerëzve të ndershëm, opozitarë ose jo, që vuajne keqqeverisjen, emigrimin, korrupsionin, e shkeljen me kembe nga milioneret e pushtetit te krimit. Sakrifica më motivon, për më shumë qëndresë e betejë! E ta themi qarte, Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, ndihmojne trafikun e drogës, e mbrojne me gjyqësorin e kontrolluar. E bekojnë dhe e mbrojnë vete, ndaj nuk u hetua trafikanti i drogës dhe as u hetua përdorimi e institucioneve të ministrisë së brendshme për lehtësimin e përfshirjen ne trafik droge. Trafikanti vëlla apo xhaxha, nuk bëhet hero! E vërteta nuk mbulohet nën dritën e diellit!
Më 27 shtator, ish-deputeti demokrat u vetëdorëzua vullnetarisht në Polici, për t'u tranferuar më pas në burgun e Fierit, ku edhe do të vuajë dënimin me 1 vit heqje lirie për çështjen “Babale”. Aktualisht, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji po kryen dënimin në burgun e Fierit. Me dënimin e tij, Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, por ashtu siç pritej, politikani demokrat e apeloi vendimin në Gjykatën e Lartë. Por sërish mandatin e ka humbur! Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI