Politikë

Beteja për lirinë/ Publikohen argumentet ligjore të avokatëve të Ervin Salianjit, ish-deputeti vizitohet nga tre kolegë

Gjithashtu ata kanë shtuar se është shkelur neni 22 si dhe neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për lirinë e shprehjes.

M.M
Beteja për lirinë/ Publikohen argumentet ligjore të
Ervin Salianji

TIRANË- Pas arrestimit të Ervin Salianjit, pritet që ditën e nesërmë Gjykata e Lartë të shqyrtojë nesër kërkesën e avokatëve të ish-deputetit të Partisë Demokratike për pezullimin e vendimit të gjykatës së Apelit që la në burg Salianjin. Avokatët kërkojnë pezullimin e vendimit derisa të ketë një shqyrtim të plotë dhe të drejtë të çështjes.

“Pezullimi është i domosdoshëm për të garantuar një proces të drejtë, për të mbrojtur të drejtat kushtetuese dhe konventore të Salianjit, dhe për të siguruar që demokracia dhe përfaqësimi politik të mos dëmtohen nga një vendim i paarsyetuar dhe disproporcional”.

Sipas avokatëve të ish-deputetit në vendimin e Apelit është shkelur parimi i proporcionalitetit të dënimit. Gjithashtu ata kanë shtuar se është shkelur neni 22 si dhe neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për lirinë e shprehjes.

“Dënimi me një vit burg për veprën penale të “Kallëzimit të Rremë”, në rastin e deputetit Ervin Salianji, përbën një shkelje të parimit të proporcionalitetit, pasi ky dënim është dukshëm i tepruar në raport me natyrën e veprës penale dhe rrethanat e çështjes. Për më tepër, ai nuk përmbush asnjë funksion të parandalimit të përgjithshëm apo parandalimit të posaçëm, duke e bërë ekzekutimin e tij të padrejtë dhe të paligjshëm”, thuhet në parashtrimet e avokatëve të ish deputetit demokrat.

Rasti i denoncimit të kryer nga Ervin Salianji, në cilësinë e tij si deputet, bie plotësisht nën mbrojtjen e këtyre dispozitave. Aktiviteti i tij i denoncimit të një çështjeje me interes publik mbështetet nga parimet themelore të lirisë së shprehjes, dhe ndëshkimi i tij penal për një veprim të tillë përbën një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes, në kundërshtim me Kushtetutën dhe KEDNJ-në.

Ekzekutimi i një dënimi të tillë penal në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 krijon një ndërhyrje të padrejtë në procesin zgjedhor, duke ndaluar kandidimin dhe fushatën e një deputeti aktiv. Ky ndëshkim prek të drejtën e tij për të kandiduar dhe për të marrë pjesë në procesin politik si përfaqësues i një pjese të rëndësishme të elektoratit. Çdo veprim që ndërpret mundësinë e kandidimit të një deputeti të zgjedhur, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar, është haptazi joproporcional, dhe është një sulm mbi demokracinë dhe lirinë e zgjedhjeve”, shkruajnë avokatët e Salianjit. Çështja me gjyqtar relator Sokol Binaj dhe është planifikuar për t’u gjykuar në dhomë këshillimi në datë 15.10.2024, ora 13:20.”

Ditën e sotme tre deputetë nga rradhët e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, Dhurata Çupi dhe Saimir Korreshi kanë kryer një vizitë në burgun e Fierit  për të takuar ish-deputetin e PD-së Ervin Salianjin.

Zheni Gjergji e ndau lajmin në adresën e saj të Facebook-ut ku shkruajti se arrestimi i Salianjit është një arrestim politik dhe se sakrifica e ish-deputetit duhet të jetë një mesazh i fortë rëzistence për të gjithë ne kolegët e tij.

“E vërteta s'mund të prangoset. Sot bashkë me kolegët Dhurata Çupi dhe Saimir Korreshi vizituam në ambjentet e I.E.V.P Fier, kolegun tonë Ervin Salianji! Shqipëria po përjeton ditë aspak të mira sa i takon shtetit të së drejtës dhe lirive të individit dhe kolegu Salianji është reflektimi më i pastër i rikthimit të dënimeve dhe burgosjeve politike. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD  dhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit sot është në burg jo se ka vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Salianji sot nuk është në burg se ka përfituar tendera apo se ka të kaluar kriminale.


Ervini sot është në burg se guxoi dhe ngriti zërin për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, të dënuar për trafik droge. Heqja e lirisë është nga njëra anë një nga aktet më të rënda që mund t'i shkaktohet një individi, ndërkohë nga ana tjetër sakrifica e Salianjit është dhe duhet të jetë për të gjithë ne kolegët e tij një mesazh i fortë rezistence. Dua t'i përcjell përshëndetjet më të përzemërta të Ervin Salianjit nga I.E.V.P Fier për të gjithë demokratët.” shkruan ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji mbërriti në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit, pasi Apeli e shpalli të fajshëm për "kallëzim të rremë" për dosjen ‘Babalja’. Me dënimin e tij, Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, por ashtu siç pritej, politikani demokrat e apeloi vendimin në Gjykatën e Lartë. Por sërish mandatin e ka humbur! Teksa Salianji ndodhet në qeli, Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i njofton vakancën. Pritet, që vendin e Salianjit në Kuvend ta zërë ish-kreu i PD-së së Korçës, Andrea Mane. Por në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike. /ZËRI

Poll

MOS HUMB